Mungesa e vendstrehimeve në Kiev po ua shton vuajtjet banorëve mes sulmeve ruse

11 gusht 2026 | 08:37

Anna u arratis drejt kryeqytetit ukrainas bashkë me djalin e saj 9-vjeçar, Mishën, për t’i shpëtuar bombardimeve ruse në Harkiv, ku shtëpia e saj në skajin verior të qytetit ndodhet rreth 20 kilometra nga vija e frontit.

Por, intensiteti i sulmeve të fundit ruse ndaj Kievit është i krahasueshëm me ato prej të cilave u largua, thotë ajo. Dhe, shpesh nuk ka vend për t’u fshehur.

“Bodrumet zakonisht janë të tejmbushura. Nuk është vetëm se nuk ka vend ku të shtrihesh. Nuk ka vend as për të ulur apo për të qëndruar në këmbë”, tha ajo këtë javë për Current Time, projekt i Radios Evropa e Lirë. “Njerëzit vijnë dhe nuk ka vend për ta. I kthejnë mbrapsht. Nuk ka vende të mjaftueshme askund në gjithë lagjen”.

Anna jeton në distriktin Desnjanski të Kievit, një zonë e gjerë me blloqe banimi të epokës sovjetike në verilindje të qytetit, e cila ka mungesën më të madhe të vendstrehimevee. Shumica e ndërtesave të banimit nuk kanë bodrume, duke rritur kërkesën për vendstrehime nën spitale, shkolla apo kopshte, të cilat kanë kapacitet për më pak se gjysmën e popullsisë lokale.

Një tjetër nënë nga zona, Marina, tha për Current Time se zakonisht i kalon sulmet ruse e fshehur në korridor bashkë me fëmijën e saj 18-muajsh.

“Ka një strehimore ku mund të kishim shkuar, për shembull, në një shkollë. Por duhen tetë minuta për të arritur atje në këmbë”, tha ajo. “Të ecësh atje natën me një fëmijë nën sulm nuk është edhe aq e lehtë”.

Rusia shton sulmet

Ndërsa forcat ruse kanë bërë përparime minimale në vijën e frontit këtë vit, Moska ka shtuar fushatën ajrore kundër qyteteve ukrainase, përfshirë Kievin. Së voni, 17 persona u vranë gjatë një nate të vetme sulmesh në rajonin e Kievit.

Mbrojtja ajrore ukrainase nuk arriti të rrëzonte asnjë raketë balistike ruse gjatë këtij sulmi, duke tërhequr vëmendjen te mungesa kritike e raketave penguese.

Por, rritja e numrit të viktimave civile – Organizata e Kombeve të Bashkuara regjistroi 1.396 viktima në gjashtë muajt e parë të këtij viti, 37 për qind më shumë se vitin e kaluar – nxjerr në pah gjithashtu mungesën e vendstrehimeve.

Sipas shifrave zyrtare, në qytet ka vetëm 4.000 vendstrehime, ndërsa aktualisht Kievi ka më shumë se 3 milionë banorë. Disa prej tyre janë të paarritshme ose të amortizuara.

Gjithnjë e më shumë njerëz po e kalojnë natën duke fjetur në stacionet e metrosë, ku platformat dhe shkallët e mbipopulluara të kujtojnë javët e para të pushtimit rus në vitin 2022.

Gjatë një nate me sulme ruse, së voni, rreth 56.000 njerëz u strehuan atje me tenda, dyshekë dhe çanta gjumi. Por, kjo është më pak se dy për qind e popullsisë së qytetit.

Kreu i administratës së distriktit Desnjanski, Maksym Bakhmatov, i tha Current Time-it se zgjidhja më e thjeshtë dhe më e shpejtë për problemin vjen në formën e vendstrehimeve të lëvizshme të parafabrikuara.

Të ndërtuara nga betoni i përforcuar, ato vendosen mbi tokë dhe ofrojnë mbrojtje nga copëzat e predhave, rënia e mureve ose valët goditëse – megjithëse jo nga një goditje direkte.

Ato janë vendosur në lokacione në të gjithë vendin dhe, në dhjetor të vitit të kaluar, distrikti Desnjanski mori vendstrehimin e parë të këtij lloji në Kiev. Ai u financua nga bizneset lokale.

“Vjen si një komplet Lego-je, në pjesë të veçanta. I bashkojnë, i fiksojnë me bulona. Është gati për 2-3 ditë”, tha Bakhmatov.

Kush e ka fajin?

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë se administratat e distrikteve janë përgjegjëse për mungesën e vendstrehimeve. Ai tha së voni se në vitin 2025 ishin vënë në dispozicion më shumë se 11 milionë dollarë për ndërtimin e vendstrehimeve, por se pjesa më e madhe e tyre nuk u shpenzua.

“Nëse administratat e distrikteve nuk i përmbushin përgjegjësitë e tyre, duhet të gjenden [persona të tjerë] që do t’i përmbushin këto përgjegjësi. Fatkeqësisht, kemi një strukturë administrative ku kryetari i Kievit nuk mund t’i japë as vërejtje kreut të distriktit”, tha Klitschko.

Bakhmatov e hodhi poshtë kritikën, duke argumentuar se Klitschko dhe administrata e qytetit i kanë të gjitha kompetencat dhe burimet buxhetore të nevojshme.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për të shpërndarë para, por për të pasur një plan, një strategji”, tha ai. “Askush nuk do t’ju tregojë se sa vendstrehime duhet të ketë.”

Ndërsa përfaqësuesit e qytetit grinden për përgjegjësinë, banorët e Kievit dhe zonave përreth vazhdojnë të përballen me pasojat e sulmeve.

Gjatë një nate, javën e kaluar forcat ruse vranë tre persona në Puhovka, në rajonin e Kievit: një gjysh, një gjyshe dhe nipin e tyre, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Djali ishte vetëm tre vjeç. Katër të tjerë u shtruan në spital: prindërit e fëmijës, vëllai i tij 15-vjeçar dhe një fqinj që erdhi për të ndihmuar familjen dhe u plagos gjatë sulmit të dytë”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke shtuar se Rusia lëshoi gjashtë raketa balistike në drejtim të infrastrukturës civile në Kiev.

Sulmet në vetë kryeqytetin ukrainas i morën jetën një personi, sipas administratës ushtarake të qytetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësimin e…