Papa u kërkon palëve lëshime për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë

28 shtator 2026 | 16:32

Papa Leoni XIV u ka bërë thirrje palëve ndërluftuese që të gjejnë kompromis dhe të jenë të gatshme të bëjnë lëshime për të arritur paqen në Ukrainë.

Këto deklarata kreu i Selisë së Shenjtë i ka bërë gjatë një fjalimi mbi Evropën, të mbajtur në Francë, në ditën e fundit të vizitës së tij zyrtare në këtë shtet.

Gjatë vizitës, Papa ka zhvilluar bisedime me presidentin Emmanuel Macron, ka udhëhequr një meshë në qendër të Parisit dhe ka bërë thirrje për dhembshuri ndaj migrantëve, raporton “Vatican News”.

Para një audience të mbushur, Papa nuk ka specifikuar se çfarë lëshimesh konkrete duhet të bëjnë Kievi apo Moska.

Thirrja e tij vjen në një kohë kur forcat ruse po vazhdojnë sulmet intensive dhe përpjekjet për të avancuar në rajonin e Donetskut, ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e pestë.

Gjatë muajve të fundit, Selia e Shenjtë ka ndërmarrë një rol aktiv në përpjekjet për t’i dhënë fund armiqësive.

Në gusht, Papa ka dërguar në Moskë kryepeshkopin Paul Gallagher, shefin e diplomacisë së Vatikanit, për t’u takuar me zyrtarë rusë, përfshirë kryediplomatin Sergei Lavrov.

Po ashtu, një tjetër emisar i Vatikanit pritet të vizitojë Rusinë gjatë kësaj jave.

Këto vizita nxjerrin në pah përpjekjet e Papës për të ndërmjetësuar lidhur me krizën në Ukrainë, ndërkohë që diplomacia evropiane mbetet kryesisht e distancuar nga kontaktet me Moskën.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka…