Çitaku: Pjesëtarë të mbrojtjes së afërt cenuan integritetin e deputetëve të PDK-së, do t’i drejtohemi IPK-së
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar për përplasjet e sotme në Kuvend, duke pretenduar se disa pjesëtarë të mbrojtjes së afërt kanë cenuar integritetin fizik të deputetëve të PDK-së.
“Sot pamë edhe disa shfaqje jo të këndshme në sallë në Kuvend. Kishte deputetë të shoqëruar nga pjesëtarë të sigurisë, mbrojtjes së afërt, të cilët cenuan edhe integritetin fizik të disa prej deputetëve të PDK-së. Edhe për këtë çështje ne do t’i ndërmarrim masat në Inspektoratin Policor të Kosovës”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka thënë se PDK-ja kishte kërkuar zyrtarisht një ditë më parë që të thirrej vazhdimi i seancës konstituive.
“Dehari po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën, me aktgjykimet dhe Rregulloren e Kuvendit, po i nënshtrohet vullnetit politik të partisë së tij. Kuvendi s’u konstituua”, ka thënë ajo.
Çitaku e ka cilësuar situatën si më shumë se një incident procedural, duke pretenduar se bëhet fjalë për një “model të sjelljes politike” ku, sipas saj, Kushtetuta zbatohet vetëm kur i përshtatet një partie.
“Kuvendi është efektivisht i mbyllur. Deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit të tyre. Këto mandate s’na i ka dhënë Albin Kurti dhe VV-ja, por qytetari i Kosovës”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo i ka bërë thirrje Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes që të mundësojnë vazhdimin e procesit të konstituimit.
“Republika është mbi secilin prej nesh, Kushtetuta është mbi çdo parti. Të bisedojmë nga kjo shtëpi me një ftesë të drejtpërdrejtë: Ejani në Kuvend, ejani ta konstituojmë Kuvendin”, ka thënë Çitaku.



