“Forca” mobilizohet për Vushtrrinë: Të shtunën udhëtim masiv drejt Hajvalisë
12 gusht 2026
| 23:08
Tifo-grupi “Forca” ka bërë thirrje për mobilizim masiv të tifozëve të FC Vushtrrisë për ndeshjen e parë të sezonit të ri në Superligën e Kosovës.
Përmes një postimi, “Forca” ka theksuar se pavarësisht problemeve dhe vështirësive me të cilat përballet klubi, përkrahja dhe dashuria për FC Vushtrrinë mbeten të pandryshuara.
“FC Vushtrria është pjesë e zemrës sonë, e qytetit tonë dhe e historisë sonë”, thuhet në reagimin e tifozëve, të cilët kanë bërë thirrje për bashkim dhe mbështetje sa më të madhe për skuadrën.
Të shtunën, FC Vushtrria zhvillon ndeshjen hapëse të sezonit kundër FC Malishevës në Hajvali. “Forca” ka njoftuar se grumbullimi i tifozëve do të bëhet te stadiumi “Ferki Aliu”, ndërsa nisja drejt Hajvalisë është paraparë në ora 15:00.



