​PDK do të jetë sot në Kuvend, i kërkon Deharit ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive

12 gusht 2026 | 08:29

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës një ditë më parë i është drejtuar me kërkesë zyrtare kryesuesit të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, që sot, më 12 gusht 2026, të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Sipas kërkesës së PDK-së, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese. Megjithatë, tejkalimi i këtij afati, sipas PDK-së, nuk e shuan detyrimin për konstituimin e Kuvendit.

Përkundrazi, sipas kësaj partie, obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme.

“Prandaj, PDK ka kërkuar që pa asnjë vonesë të mëtejshme të thirret vazhdimi i seancës konstituive dhe deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit për të cilin kanë marrë besimin e qytetarëve”, thuhet në kërkesën e PDK-së.

Më tej thuhet se “pavarësisht nëse Dehari e përmbush apo jo obligimin e tij për thirrjen e seancës, Grupi Parlamentar i PDK-së ka paralajmëruar se do të jetë më 12 gusht, në orën 11:00, i pranishëm në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kur përmbushet edhe 48-orëshi i dytë për vazhdimin e seancës sipas rregullores”.

PDK ka ftuar edhe të gjitha grupet e tjera parlamentare dhe deputetët e zgjedhur që të mërkurën të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit, për të dëshmuar gatishmërinë e tyre politike dhe vullnetin për ta përmbushur besimin që qytetarët ua kanë dhënë.

Ndryshe, vazhdimi i seancës konstituive është mbajtur të shtunën, por që u shty me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe pas ekskalimit të situatës në seancë pasi deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Amazon Web Services po planifikon ndërtimin e një prej qendrave…