Si i “fuste në kurth”? Adoleshenti detyron 117 vajza të kryejnë akte seksuale dhe të gdhendin emrin e tij…
Një adoleshent, i cili detyroi 117 vajza të kryenin akte seksuale dhe të gdhendnin emrin e tij në trupat e tyre, është dënuar me burg.
BBC skruan se, Justin Swaddle, i cili në atë kohë ishte 17 vjeç, u vinte në shënjestër viktimave në mbarë botën përmes “Discord”, “Telegram” dhe “Snapchat”, duke përdorur emrat e përdoruesit “Epstein”, “Rugen” dhe “Moscow”.
Ai vepronte si pjesë e një grupi “Com”, komunitete të lirshme online që shpërndajnë materiale ekstremisht grafike dhe manipulojnë viktimat, me qëllim që të kryejnë abuzime seksuale dhe të dhunshme ndaj fëmijëve.
Anëtarët e këtyre grupeve janë kryesisht djem adoleshentë, të motivuar më shumë nga dëshira për status dhe famë sesa nga dëshira seksuale apo paratë. Ata kërkojnë të fitojnë famë duke shpërndarë materiale gjithnjë e më ekstreme dhe duke kryer krime gjithnjë e më të rënda.
Swaddle kishte vënë në shënjestër 117 vajza të moshës 13 deri në 17 vjeç, tetë prej të cilave ndodheshin në Britani.
Adoleshenti u kërkonte viktimave të dërgonin foto nudo, i detyronte të kryenin akte seksuale ndaj vetes dhe i nxiste të vetëlëndoheshin.
Ai gjithashtu i detyronte vajzat të gdhendnin pseudonimet e tij online në lëkurën e tyre, si pjesë e kësaj fushate abuzimi.
Swaddle, tashmë 20 vjeç, është dënuar me dy vite burg, pasi pranoi akuzat.
Ai gjithashtu u deklarua fajtor për prodhimin e një fotografie të pahijshme të një fëmije, të kategorive A, B dhe C, si dhe për posedimin e një imazhi pornografik ekstrem dhe një imazhi të ndaluar të një fëmije.
Në gjykatë u bë e ditur se Swaddle fillimisht fitonte besimin e viktimave, përpara se të mblidhte informacione personale rreth tyre.
Më pas, ai i kërcënonte se do t’i publikonte fotot intime ose do t’i denonconte te shkolla apo prindërit e tyre, me qëllim që t’i detyronte të dërgonin materiale të tjera.
Njëra prej viktimave, 17 vjeçe, tha se e kishte njohur atë në platformën sociale “Discord” në nëntor 2022 dhe më pas komunikimi i tyre kishte kaluar në “Snapchat”.
Bisedat u bënë seksuale dhe më pas u përshkallëzuan në diskutime rreth vetëlëndimit.
Swaddle i kërkoi asaj fotografi nudo dhe e detyroi të gdhendte emrin e tij të përdoruesit në trupin e saj, bëri të ditur Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA).
Ai siguroi emrin, adresën dhe të dhënat e shkollës së saj, si dhe regjistroi telefonata gjatë të cilave kishte ndodhur aktivitet seksual, për t’i shpërndarë më pas në një grup.
Swaddle e kërcënonte se do të përdorte të dhënat personale të vajzës nëse ajo nuk i dërgonte foto dhe video të tjera.
Mesazhe të tjera në “Telegram” treguan se ai ishte përpjekur të nxiste një fëmijë që të abuzonte seksualisht me një fëmijë më të vogël dhe ta regjistronte ngjarjen për të.
Ai e kërcënonte sërish viktimën se do të shpërndante imazhet e pahijshme, nëse ajo nuk i dërgonte materiale të tjera.
Swaddle u arrestua për herë të parë nga Policia e West Yorkshire në tetor 2023, për vepra penale që përfshinin posedimin, prodhimin dhe shpërndarjen e imazheve të pahijshme.
Pasi oficerët sekuestruan pajisjet e tij, ata zbuluan imazhe të pahijshme të fëmijëve të kategorive A deri në C, ku kategoria A konsiderohet më e rënda.
Hetuesit vlerësuan se fëmijët në imazhet e gjetura në pajisjet e tij ishin nga 3 deri në 17 vjeç.
NCA nisi hetimin e saj në janar 2024 dhe zbuloi qindra biseda, të gjitha me përmbajtje seksuale dhe që përfshinin vajza të mitura.



