ATK-ja rrit kontrollet ndaj bizneseve, evidenton rreth 60 milionë euro shmangie tatimore

13 gusht 2026 | 12:55

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rritur për 35 për qind numrin e kontrolleve ndaj bizneseve në vend, veçanërisht ndaj atyre me veprimtari sezonale. Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë realizuar rreth 1 mijë e 15 kontrolle, gjatë të cilave janë evidentuar rreth 60 milionë euro shmangie tatimore.

Kontrollet janë përqendruar kryesisht në sektorët me rritje sezonale të qarkullimit, përfshirë pishinat, sallat e dasmave, hoteleritë dhe sallonet e ondulimit.

“Qëllimi është të targetohen sektorët që, potencialisht, në bazë të riskut, dalin që kanë evazion fiskal të shtuar në këtë sezon”, ka thënë Hyseni.

Ndër sektorët që ATK-ja i konsideron më problematikë për shmangie tatimore janë edhe ndërtimtaria, tregtia me shumicë, hoteleria dhe disa shërbime të tjera.

Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar rreth 2 mijë e 500 gjoba, apo rreth 8 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Hyseni ka thënë se evazioni fiskal mbetet një problem i madh për Kosovën. Sipas tij, institucionet e vendit nuk kanë një vlerësim të përditësuar për nivelin e kësaj dukurie, ndërsa vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare nga periudha 2019-2020 e kanë vendosur evazionin fiskal në 25 deri në 35 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ai ka vlerësuar se, duke marrë parasysh një PBB prej mbi 10 miliardë eurosh, edhe niveli prej 25 për qind do të përbënte një shumë jashtëzakonisht të madhe.

Kontrollet e ATK-së po zhvillohen edhe në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Sipas Hysenit, vetëm gjatë këtij viti në këtë zonë janë regjistruar rreth 230 biznese të reja, me rreth dy milionë euro qarkullim.

Një tjetër shqetësim mbetet borxhi i bizneseve ndaj ATK-së. Hyseni ka thënë se borxhi total, i akumuluar që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, arrin në rreth 800 milionë euro.

ATK-ja synon që deri në fund të vitit të mbledhë rreth 1.2 miliard euro të hyra tatimore, krahasuar me rreth 1 miliard euro të mbledhura gjatë vitit të kaluar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Hak Bau” SH.P.K. nga Gjakova bënë rritjen e kapitalit të…