Kusari-Lila pret në takim delegacionin e Bangladeshit, synohet thellimi i bashkëpunimit ekonomik
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur sot në takim një delegacion nga Bangladeshi, të kryesuar nga ambasadori Md. Nazrul Islam dhe S.M. Mahbubul Alam, të shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Bangladesh, Lulzim Pllana.
Gjatë takimit është diskutuar për thellimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Bangladeshit, si dhe për mundësitë konkrete për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë me potencial të lartë, veçanërisht në industrinë farmaceutike, bioteknologji dhe teknologjinë informative.
Një fokus i veçantë i është kushtuar krijimit të mundësive të reja për bashkëpunim biznes me biznes, përfshirë forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Dhomës së Tregtisë së Dakës (DCC).
Po ashtu, është diskutuar mundësia që kompanitë nga Bangladeshi të hapin linja prodhuese në Kosovë dhe ta shfrytëzojnë vendin si pikë për zgjerim drejt tregjeve evropiane.
Ministrja Kusari-Lila ka theksuar se Kosova ofron një mjedis të përshtatshëm për investime, falë afërsisë me tregun e Bashkimit Evropian, politikave fiskale, fuqisë punëtore konkurruese dhe mundësive për qasje në tregjet evropiane përmes CEFTA-s dhe EFTA-s.
Në takim është diskutuar gjithashtu për nisjen e procesit për një marrëveshje dypalëshe të tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe Bangladeshit.
Një marrëveshje e tillë do të mund të krijonte mundësi të reja për rritjen e shkëmbimeve tregtare, nxitjen e investimeve dhe forcimin e partneritetit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Takimi është zhvilluar në frymën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik dhe identifikimit të hapave konkretë për të afruar komunitetet e biznesit të Kosovës dhe Bangladeshit.



