VV i lexon aktgjykimet e kushtetueses ndryshe, shoqëria civile: Intepretim i gabuar
Me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, nisi edhe numërimi i afatit kushtetues.
Por, bashkë me të, filloi edhe përplasja për mënyrën se si duhet të llogaritet.
Në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhej të konstituohej i plotë, jo më vonë se 30 ditë nga certifikimi të rezultateve.
Por në Vetëvendosje këtë afat e lexojnë ndryshe.
Sipas tyre, numërimi nis nga momenti kur është thirrur seanca e parë konstituive.
Ky interpretim sipas shoqërisë civile, është krejtësisht në kundërshtim me kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës.
“Ky është një interpretim në kundërshtim edhe me kushtetutën edhe vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket llogaritjes së periudhës kohore të mbajtjes ose të caktimit dhe përfundimit të seancës konstituive. Gjykata shumë qartë e ka bërë me dije duke sqaru që deputetët për ta cilësuar seancën të suksesshme, duhet të zgjedhet kryetari dhe nënkryetarët”, ka thënë Bugaqku.
Madje, problemi nuk qëndron vetëm tek interpretimi i afatit.
Kryesuesi i seancës po akuzohet se është duke anashkaluar edhe rregullin që seancat konstituive të thirren çdo 48 orë.
“Kjo e bënë edhe më evidente faktin që kryesuesi I seancës po e vazhdon avazin e vjetër, siç ka bërë vitin e kaluar, shkelte rregullore, shkelte aktgjykimin, shkelte procedurat sa I përkët administrimit të seancës konstituive, I njëjti me qëllim në mënyrë publike, po thekson se nuk do të respektojë asnjë afat dhe asnjë vendim të gjykatës ksuhtetuese…Kushtetuta nuk pezullohet për shkak se nuk ka marrëveshje politike”, ka shtuar Bugaqku.
Kryesuesi i seancës për konstituimin e Kuvendit, njëherësh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari tha ditë më parë se nuk do ta thërras vazhdimin e seancës, pa qenë të sigurt për një marrëveshje politike./Dukagjini



