Kryeziu: Nëse presidenti i lihet opozitës, Qeveria nuk humb mandatin për të qeverisur

29 shtator 2026 | 15:55

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka deklaruar se nëse pozita e presidentit i lihet opozitës, Qeveria nuk e humb mandatin e saj për të qeverisur.

Kryeziu ka thënë se nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, përgjegjësia kryesore politike bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje (LV), si subjektin me fuqinë më të madhe politike.

Në një postim në “Facebook”, ai ka theksuar se sa më e madhe të jetë fuqia politike, aq më e madhe është edhe përgjegjësia për të gjetur zgjidhje.

“Edhe 7 ditë mundësi për marrëveshje politike, para se vendi të shkojë për herë të katërt në zgjedhje. Për rreth dy vjet, vendi përballet vazhdimisht me kriza institucionale, me zgjedhje të përsëritura dhe me institucione që vazhdojnë të funksionojnë me mandate në detyrë. Në këto rrethana, përgjegjësia politike nuk mund të shpërndahet në mënyrë të barabartë. Ajo bie para së gjithash mbi subjektin që ka mandatin më të madh politik dhe që udhëheq qeverisjen e vendit”, ka shkruar Kryeziu.

Ai ka thënë se nëse posti i presidentit i lihet opozitës dhe zgjidhet një personalitet që respekton Kushtetutën dhe mund të garantojë funksionimin institucional, Qeveria nuk e humb mandatin për të qeverisur.

“Presidenti nuk është një ‘kryeministër i dytë’, ndërsa kompetencat e tij kushtetuese nuk e bëjnë automatikisht pengesë për ushtrimin e mandatit të Qeverisë”, ka shkruar ai.

Kryeziu ka ngritur pyetjen nëse kontrolli i pozitës së Presidentit është më i rëndësishëm sesa funksionimi i institucioneve dhe shmangia e zgjedhjeve të katërta brenda dy vitesh.

Sipas tij, një kompromis për zgjedhjen e Presidentit do të mund ta zhbllokonte shtetin, t’i bënte institucionet funksionale dhe të shmangte një tjetër proces zgjedhor.

“Një fitore e madhe elektorale nuk është autorizim për ta mbajtur shtetin peng të vullnetit të një lideri apo të një subjekti politik. Mandati për të qeverisur nënkupton edhe përgjegjësinë për të ndërtuar institucione funksionale, për të bërë kompromis dhe për të gjetur zgjidhje politike kur sistemi bllokohet”, ka shkruar Kryeziu.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia ka nisur…