Basha: Nga 500 mijë në mbi 5 milionë euro, pezullohen zyrtarët e akuzuar për keqpërdorim në kontratën e urave
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se ministria ka pezulluar nga detyra zyrtarët ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas Bashës, rasti lidhet me periudhën 2017–2019 dhe një kontratë për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe regjionale.
Aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh, ndërsa pagesat e realizuara, sipas aktakuzës, kanë arritur në mbi 5 milionë euro.
“Këto janë para të qytetarëve dhe përgjegjësi publike, andaj presim që drejtësia ta thotë sa më shpejt verdiktin përfundimtar dhe të mbajë përgjegjës secilin që ka abuzuar me mjetet e taksapaguesve”, ka deklaruar Basha.
Ai ka theksuar se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe se ministria do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë.
Basha ka shtuar se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të forcojë kontrollin, mbikëqyrjen dhe llogaridhënien, ndërsa çdo dyshim serioz për keqpërdorim do të trajtohet me përgjegjësi institucionale.



