I dyshuari për spiunazh, Fehim Sali dërgohet në paraburgim për një muaj
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Fehim Salit, i dyshuar për spiunazh.
Sipas gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar për një muaj, nga 13 gushti deri më 13 shtator 2026.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ndaj të pandehurit F.S. ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila llogaritet nga data e arrestimit të tij, 13 gusht 2026 dhe zgjat deri më 13 shtator 2026”, njoftoi gjykata.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale dhe se janë plotësuar kushtet ligjore për paraburgim.
Në vendim janë marrë parasysh rreziku i ikjes, ndikimit në dëshmitarë dhe prova, si dhe rreziku i përsëritjes ose vazhdimit të veprës penale. Sipas gjykatës, masat më të buta nuk do të ishin të mjaftueshme për neutralizimin e këtyre rreziqeve.
Gjykata ka shqyrtuar edhe pretendimet e mbrojtjes dhe rrethanat personale të të pandehurit, por ka vlerësuar se paraburgimi është masë e domosdoshme dhe proporcionale.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.



