FC Vushtrria prezanton dy përforcime të reja për sezonin e ri
FC Vushtrria po vazhdon të përforcojë skuadrën para fillimit të sezonit të ri në Superligën e Kosovës.
Klubi vushtrrias ka zyrtarizuar transferimin e dy futbollistëve të rinj, Gentrit Ullurit dhe Rigon Spahiut.
Ulluri i bashkohet Vushtrrisë pas eksperiencës së fundit te Suhareka. Gjatë karrierës së tij, ai ka mbrojtur edhe fanellat e KS Lushnjës, Malishevës, Feronikelit 74, Vëllaznimit, Drenicës dhe Ramiz Sadikut.
Ndërkohë, qendërmbrojtësi Rigon Spahiu vjen me një përvojë të pasur, pasi ka qenë pjesë e Shkupit, Calcio Leinfelden-Echterdingen, SG Sonnenhof Großaspach, Lirisë, FC Berdenia Berbourg dhe Olympic Charleroi. Më herët, ai ka qenë pjesë edhe e grupmoshave të 1. FC Heidenheim dhe VfB Stuttgart.
“Gentrit, mirë se erdhe në Vushtrri! Të urojmë suksese në rrugëtimin tonë të përbashkët. Rigoni do të jetë një nga gladiatorët tanë në këtë rrugëtim. Mirë se erdhe në familjen e FC Vushtrrisë, Rigon! Shumë fat, suksese dhe një sezon të mbarë me fanellën tonë!”, ka shkruar klubi në njoftimin për dy përforcimet e reja.
Vushtrria kishte zyrtarizuar një ditë më parë edhe transferimet e Kim Sanes dhe Klejdi Palokës, duke vazhduar kështu ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri.



