Zemaj: LV-ja ta thërrasë seancën, provokimi i situatës nuk është në interes të Kosovës
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit, duke theksuar se institucionet e vendit nuk duhet të mbahen peng dhe se kriza politike nuk duhet të thellohet.
Zemaj, përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se konstituimi i Kuvendit duhet të ndodhë dhe se pushteti duhet të ushtrohet në përputhje me rregullat demokratike, ligjet dhe Kushtetutën.
“Provokimi i situatës nuk është në interes të Kosovës. Pushtetet shkojnë e vijnë, por Kosova është mbi të gjitha. Mjaft me këto lojëra politike. Pushteti fitohet dhe mbahet në mënyrë demokratike, përmes rregullave, ligjeve dhe Kushtetutës. Askush nuk është mbi institucionet dhe askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng shtetin”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka kërkuar që Kuvendi të funksionalizohet dhe të ndërpriten, siç ka thënë, bllokadat dhe tensionet politike.
“Lëvizja Vetëvendosje duhet ta thërrasë seancën! Konstituimi i Kuvendit duhet të ndodhë. Askush nuk guxon t’i mbajë peng institucionet e vendit dhe ta thellojë krizën politike”, ka shkruar ai.
Zemaj ka theksuar se Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe jo për përplasje politike.
“Mjaft më. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për bllokada e tensione”, ka shkruar Zemaj.



