Greiçevci kritikon Williamsonin: Prokuror mashtrues, më i dëmshëm se Dick Marty

30 shtator 2026 | 14:17

Ish-ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci, ka kritikuar ashpër ish-kryeprokurorin e Task-Forcës Speciale të BE-së, Clint Williamson, lidhur me hetimet për pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martyt.

Përmes një postimi në “Facebook”, Greiçevci e ka quajtur Williamsonin “prokuror mashtrues” dhe ka pretenduar se ai ka dhënë deklarata të pavërteta lidhur me gjetjet e hetimit.

Sipas Greiçevcit, Williamsoni ka dhënë deklarata të pavërteta kur ka thënë se gjetjet e hetimit ishin në masë të madhe në përputhje me raportin e Marty-t dhe se kishte prova për krime të tjera të rënda.

“Paska folur sërish ky prokurori mashtrues, Clint Williamson. Ai është më i dëmshëm se Dick Marty. Pasi u mor me hetimin e raportit të këtij të fundit, për gati tri vite, doli në konferencë shtypi në Bruksel dhe gënjeu se i kishte ‘vërtetuar përgjithësisht’ akuzat në raportin e Martyt. Gënjeu edhe më zi, duke thënë se trafikimi me organe kishte ndodhur në disa raste të kufizuara, të cilat mund të numëroheshin ‘në gishta të duarve’, dmth. jo më shumë se dhjetëra raste. Gënjeu gjithashtu se e kishte të gatshme një aktakuzë dhe se vetëm po priste formimin e një gjykateje”, ka shkruar Greiçevci.

Ai ka pretenduar se dokumentacioni i parë nga ekipet mbrojtëse nuk e mbështet atë që Williamsoni kishte deklaruar publikisht.

“Si e dimë që gënjeu Williamson? Ekipet mbrojtëse kanë parë dokumentacionin e tij që ka lënë prapa ai. Ai nuk kishte vërtetuar asgjë, aq më pak trafikim organesh. Aktakuza e tij fantome nuk u dorëzua as nuk u konfirmua asnjëherë. Ai i hetoi ngjarjet e pasluftës në Kosovë. Trupi gjykues, edhe ashtu, i hodhi poshtë të gjitha akuzat pas 20 qershorit 1999”, ka shkruar ai.

Greiçevci ka kërkuar që Williamson të japë përgjegjësi për deklaratat e tij dhe të sqarojë nëse, sipas tij, ka vepruar vetë apo është nxitur nga të tjerë.

“Gënjeshtrat e Williamsonit u përdorën si grep për t’ia imponuar Kosovës një strukturë gjyqësore jashtë vendit, nën kërcënimin e formimit të saj nga OKB-ja. Kosova duhet të kërkojë përgjegjësi nga ky mashtrues. Ai duhet të na tregojë se a mashtroi vetë, apo e nxiti dikush tjetër të mashtrojë”, ka përfunduar Greiçevci.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj Xh.K., pronar…