Behgjet Pacolli fiton betejën gjyqësore ndaj Faton Pecit, gjykata aprovon padinë
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar padinë e tij ndaj ministrit Faton Peci, lidhur me deklaratat që, sipas Pacollit, Peci i kishte bërë ndaj tij në rrjetet sociale dhe në disa emisione televizive gjatë nëntorit të vitit 2024. Përmes një njoftimi, Pacolli ka bërë të ditur se gjykata e ka detyruar Pecin që ta kompensojë për dëmin jomaterial, të cilin ai e konsideron si pasojë e shpifjes dhe fyerjes.
“Për mua, ky rast nuk ka qenë dhe nuk është çështje parash. Është çështje e së vërtetës, dinjitetit dhe përgjegjësisë për fjalën publike”, ka deklaruar Pacolli. Ai ka theksuar se kritika është pjesë e jetës publike, por ka dalluar atë nga shpifja dhe fyerja. “Kritika është pjesë e jetës publike dhe duhet pranuar. Por shpifja dhe fyerja janë diçka tjetër”, ka shkruar Pacolli.
Sipas tij, askush, pavarësisht pozitës apo funksionit që mban, nuk duhet ta konsiderojë hapësirën publike si mundësi për cenimin e reputacionit dhe dinjitetit të një personi tjetër. Pacolli ka thënë se kishte zgjedhur që ndaj deklaratave të Pecit të përgjigjej përmes institucioneve dhe rrugës ligjore. “Do të vazhdoj të mbroj emrin dhe dinjitetin tim me fakte dhe përmes institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ai. Në njoftimin e tij, Pacolli nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me shumën e kompensimit të përcaktuar nga gjykata.



