Kabashi-Ramaj e PDK-së: Kurti të mos i përdorë institucionet e sigurisë për të inskenuar normalitet politik
Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të mos i përdorë institucionet e sigurisë për të “inskenuar normalitet” në situatën aktuale politike.
Në një konferencë për medie, Kabashi-Ramaj, ka kritikuar pjesëmarrjen e Kurtit në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të rinj të Shërbimit Korrektues, duke pretenduar se institucionet kryesore të vendit po funksionojnë në rrethana të kundërligjshme.
“Kemi një situatë të paprecedentë edhe në Presidencë, me pasoja të drejtpërdrejta për zinxhirin kushtetues të komandimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Personi që e mban pozitën e Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura e mban atë pozitë kundërligjshëm! Kjo nuk është normalitet. Kjo është krizë institucionale”, ka thënë ajo.
Kabashi-Ramaj ka akuzuar Kurtin se përmes ceremonive institucionale po përpiqet të krijojë përshtypjen se situata politike është normale.
“Mos e përdorni uniformën për të normalizuar krizën”, ka thënë ajo.
Ajo i ka bërë thirrje Kurtit dhe LV-së që të kthehen në Kuvend dhe të mundësojnë konstituimin e tij.
“Nuk normalizohet shkelja e Kushtetutës me ceremoni. Nuk krijohet legjitimitet me fotografi. Dhe nuk mund të silleni si kryeministër i një shteti që funksionon normalisht, ndërkohë që Kuvendi i Republikës së Kosovës pret të konstituohet. Nëse vërtet ju interesojnë institucionet dhe e ardhmja e këtij vendi, atëherë vendi ku duhet të jeni sot është Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ejani në Kuvend. Mundësoni konstituimin e tij. Lejoni krijimin e institucioneve legjitime dhe funksionale”, ka deklaruar ajo.
Kabashi-Ramaj ka kritikuar gjithashtu trajtimin e pjesëtarëve të sektorit të sigurisë, duke thënë se ata kanë nevojë për sigurim shëndetësor e jetësor, paga, kushte dhe pajisje më të mira.
“Uniforma nuk është skenografi politike. Policia nuk është e Kurtit. Ushtria nuk është e Kurtit. Shërbimi Korrektues nuk është i Kurtit. Janë institucione të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Sipas saj, PDK-ja ka kërkuar sigurim shëndetësor dhe jetësor për pjesëtarët e sektorit të sigurisë, përfshirë Shërbimin Korrektues, por pretendon se kjo kërkesë është refuzuar nga shumica e LV-së.



