Kosova ndërmjet transformimit dhe identitetit kombëtar

15 gusht 2026 | 23:59

Shkruan: Ethem Çeku

Shoqëria shqiptare në Kosovë po kalon nëpër një periudhë transformimesh të thella ekonomike, kulturore dhe politike. Çdo periudhë e tillë sjell mundësi të reja, por njëkohësisht krijon edhe hapësira për ndikime që prekin mënyrën se si një shoqëri e kupton vetveten, historinë dhe të ardhmen e saj. Pikërisht në kohët e ndryshimeve të mëdha, identiteti kulturor dhe kujtesa historike marrin një rëndësi të veçantë, sepse një shoqëri që nuk e njeh qartë rrugën nga ka ardhur e ka më të vështirë të përcaktojë rrugën nga dëshiron të shkojë.

Shoqëria jonë nuk ka qenë gjithmonë e përgatitur për t’u përballur me këto rryma të reja. Globalizimi, teknologjia, lëvizja e njerëzve dhe e ideve, por edhe ndikimet e ndryshme ideologjike, kulturore e fetare, kanë hyrë me shpejtësi në jetën e brezave të rinj. Disa prej këtyre ndikimeve paraqiten në forma të sofistikuara dhe synojnë të krijojnë modele të reja identifikimi kulturor e shoqëror. Hapja ndaj botës është vlerë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, por ajo nuk duhet të nënkuptojë humbjen e vetvetes. Një komb mund të jetë modern dhe evropian pikërisht duke qenë i vetëdijshëm për historinë, kulturën dhe identitetin e tij.

Historia nuk është vetëm rrëfim për të kaluarën. Ajo është një nga mënyrat përmes së cilës një shoqëri ndërton vetëdijen për veten. Shumë kombe evropiane e kanë kuptuar prej kohësh këtë dimension të historisë. Francezët e kanë vendosur Revolucionin Francez dhe traditën republikane në themelet e edukimit të tyre qytetar; italianët kanë kultivuar kujtesën e Risorgimentos dhe të bashkimit kombëtar; ndërsa polakët, edhe në periudhat kur shteti i tyre ishte zhdukur nga harta politike e Evropës, e ruajtën përmes historisë, gjuhës dhe kulturës ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Gjermania e pas Luftës së Dytë Botërore dëshmon, nga ana tjetër, se historia mund të shërbejë jo vetëm për kultivimin e identitetit, por edhe për reflektim kritik dhe përgjegjësi qytetare.

Prandaj, edukimi kombëtar nuk duhet kuptuar si mbyllje ndaj të tjerëve dhe as si prodhim i një nacionalizmi përjashtues. Përkundrazi, ai duhet të ndërtojë qytetarin që e njeh dhe e respekton vetveten dhe, pikërisht për këtë arsye, është i aftë ta respektojë edhe tjetrin. Dashuria ndaj kombit, respekti ndaj shtetit dhe përqafimi i vlerave evropiane nuk janë koncepte kundërshtuese. Ato mund dhe duhet të bashkëjetojnë në formimin e qytetarit modern të Kosovës.

Në këtë kuptim, sistemi ynë arsimor duhet ta vendosë në qendër formimin e qytetarit me vetëdije historike, kombëtare, demokratike dhe institucionale. Brezat e rinj duhet ta kuptojnë se Republika e Kosovës, liria dhe institucionet e saj nuk janë realitete të krijuara rastësisht, por rezultat i një historie të gjatë përpjekjesh, rezistence dhe sakrificash. Respekti për shtetin nuk ndërtohet vetëm përmes ligjeve dhe institucioneve; ai ndërtohet edhe përmes njohjes së rrugës historike që ka çuar deri te krijimi i tij.

Shteti serb punon vazhdimisht në planin politik, diplomatik dhe historik për ta kontestuar dhe defaktorizuar Republikën e Kosovës dhe për ta minimizuar rolin historik, politik dhe kulturor të shqiptarëve. Përballë kësaj qasjeje, përgjigjja jonë nuk duhet të jetë mitologjizimi i historisë, por forcimi i dijes historike, i institucioneve shkencore dhe i kujtesës shtetërore. Historia mbrohet më së miri me dokument, argument dhe kërkim shkencor. Një brez që e njeh historinë e vet nga burimet dhe faktet është shumë më pak i cenueshëm ndaj propagandës dhe përpjekjeve për relativizimin e së kaluarës.

Përvoja historike e vetë Kosovës duhet të na bëjë veçanërisht të ndërgjegjshëm për rëndësinë e arsimit. Në periudha të ndryshme, kontrolli mbi shkollën dhe kurrikulën është përdorur edhe si instrument politik. Për shqiptarët e Kosovës, shkolla nuk ka qenë vetëm vend i transmetimit të njohurive, por edhe institucion i ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar. Kjo përvojë duhet të na shërbejë si kujtesë se arsimi është një nga themelet më të rëndësishme të vazhdimësisë së një shoqërie.

Por përgjegjësia për kujtesën historike nuk i takon vetëm shkollës. Ajo fillon edhe nga mënyra se si institucionet tona më të larta shkencore e kulturore e dokumentojnë dhe e paraqesin historinë tonë. Në këtë kontekst, edhe Enciklopedia e Kosovës që po hartohet nga Akademia jonë duhet të synojë një përfaqësim sa më gjithëpërfshirës të personaliteteve, ngjarjeve dhe proceseve historike. Një qasje selektive rrezikon të krijojë boshllëqe në kujtesën institucionale dhe të lërë jashtë figura e ngjarje që kanë pasur rol të rëndësishëm në zhvillimin politik, kulturor, arsimor dhe shtetëror të Kosovës.

Një enciklopedi kombëtare nuk është thjesht një botim akademik. Ajo është një formë e institucionalizimit të kujtesës së një populli. Për këtë arsye, ajo duhet të ndërtohet mbi kritere të qarta, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse shkencore, larg preferencave politike, ideologjike apo personale të momentit. Kujtesa kombëtare nuk duhet të ndërtohet duke harruar, por duke dokumentuar me përgjegjësi.

Pikërisht për këtë arsye duhet të rishikohen edhe tekstet e historisë dhe vendi që historia kombëtare zë në kurrikulat tona. Ky rishikim nuk duhet të nënkuptojë zëvendësimin e shkencës me ideologji. Përkundrazi, tekstet duhet të mbështeten në arritjet bashkëkohore të historiografisë, në dokumente dhe në burime të verifikuara, duke u dhënë nxënësve jo vetëm informacion, por edhe aftësinë për ta kuptuar historinë në mënyrë kritike.

Ministria e Arsimit, universitetet, Akademia dhe institucionet e tjera shkencore e kulturore duhet ta shohin këtë çështje si pjesë të një strategjie afatgjatë shtetërore. Edukimi nuk është vetëm përgatitje për tregun e punës. Ai është procesi përmes të cilit një shoqëri formon qytetarin dhe përmes të cilit shteti krijon vazhdimësinë e vet kulturore, demokratike dhe institucionale.

Kosovës i duhet një brez që ecën drejt Evropës pa harruar prej nga vjen; një brez që e njeh historinë pa u bërë rob i saj, që e do kombin pa e përçmuar tjetrin dhe që e respekton Republikën jo vetëm si administratë, por si një të mirë të përbashkët, të ndërtuar me shumë përpjekje dhe sakrifica.

Sepse kombet nuk e sigurojnë vazhdimësinë vetëm duke ruajtur kufijtë e tyre. Ato e sigurojnë atë duke ruajtur kujtesën, duke kultivuar dijen dhe duke ua transmetuar brezave të rinj vetëdijen se kush janë, nga vijnë dhe cilat vlera dëshirojnë t’i bartin drejt së ardhmes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të shtënat me armë zjarri në rrugën “Sheshi i Arbërit”…