25 vjet nga Marrëveshja e Ohrit – në Strugë prezantohet “Marrëveshja e Prizrenit” mes UÇK-së dhe partive shqiptare
Shoqëria “Lëvizja” më 14 gusht 2026, në Strugë organizoi Konferencë Shkencore 25 VJET MARRËVESHJA E OHRIT
Arritjet, sfidat dhe perspektivat e Maqedonisë së Veriut, ku paraqita temën:
MARRËVESHJA E PRIZRENIT – ARRITJA E KONSENSUSIT NË MES UÇK-SË DHE PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE
Mr. Ismet J. Krosi
Përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare, menjëherë pas paraqitjes së UÇK-së, kërkuan nga forcat kryesore politike të Maqedonisë që në vend të luftës së armatosur, të fillojnë negociatat që të gjendet zgjidhje që në Maqedoni të rivendosej paqja dhe stabiliteti. Për realizimin e kësaj kërkese, përfaqësuesit legjitim të partive politike shqiptare, më 22 maj të vitit 2001 u takuan në Prizren ku arritën marrëveshjen e quajtur Deklarata e Prizrenit.
Me këtë marrëveshjeje arrihet konsensus në mes të UÇK-së dhe partive politike të shqiptarëve në Maqedoni. Në tekstin e Deklaratës shkruan:
Liderët shqiptarë të Maqedonisë, të vetëdijshëm për momentin historik nëpër të cilin po kalon Republika e Maqedonisë, dakordohen për veprim të përbashkët mbi pikat e një konsensusi të gjerë kombëtar dhe shoqëror i cili duhet ta reformojë Republikën e Maqedonisë në mënyrë që të jetë shtet demokratik i të gjithë qytetarëve dhe i të gjitha bashkësive kombëtare.
Konsensusi i arritur i liderëve shqiptarë bazohet në pozicionet parimore të mëposhtme:
Njohja e faktit se reformat për të cilat shqiptarët janë të angazhuar, kanë për qëllim ruajtjen e integritetit dhe karakterin multietnik të Maqedonisë;
Njohja se për problemet në Republikën e Maqedonisë nuk ka asnjë zgjidhje të bazuar në ndarjen etnike territoriale dhe çdo përpjekje për copëtimin e territorit përgjatë vijave etnike shkakton dëm për vetë qytetarët e Maqedonisë dhe të paqes në rajon;
Njohja e faktit se nuk ka zgjidhje ushtarake për problemet në Republikën e Maqedonisë;
Njohja që procesi i transformimit në Republikën e Maqedonisë duhet të vazhdojë në drejtim të integrimeve euroatlantike;
Njohja se zgjidhja duhet të gjendet në kuadër të procesit politik të shtetit, me lehtësim që mund të vijnë nga SHBA dhe BE.
Bazuar në këto postulate, liderët e shqiptarëve të Maqedonisë janë të vendosur për të marrë pjesë në një dialog që do të sjellë reforma, duke diskutuar çështjet e mëposhtme:
Amendamente në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë;
Përdorimi i lirë i gjuhës shqipe, si gjuhë zyrtare në Maqedoni;
Përfaqësimi proporcional etnik në institucionet shtetërore;
Zgjerimi i kompetencave të pushtetit lokal;
Shekullarizimi i plotë kushtetues i shtetit;
Vendosja e demokracisë konsensuale për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat kombëtare, pengimi i procesit të majorizimit në lëmenjtë që janë të lidhur drejtpërdrejt me të drejtat etnike;
E drejta për komunikim të lirë dhe pa pengesa në hapësirën kulturore shqiptare.
Gjithashtu, në kuadër të këtij dialogu nënkuptohet edhe përfshirja e pjesëtarëve të UÇK-së në forma të ndryshme të transformimit në profesione civile, duke përfshirë këtu edhe institucionet qeverisëse.
Në kuadër të këtij dialogu, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet:
Rehabilitimit dhe risocializimit të plotë të gjithë pjesëtarëve të UÇK-së;
Rindërtimit të fshatrave dhe shtëpive familjare që janë shkatërruar për shkak të veprimit ushtarak, si edhe kujdesin për viktimat e konfliktit të armatosur (invalidët e luftës, familjet e të vrarëve, jetimët etj.);
Shërbimi ushtarak në ushtrinë e RM të kryhet në komunën e lindjes.
Me dialogun që do të zhvillohet brenda një tryeze të rrumbullakët të udhëheqësve aktual të koalicionit qeverisës, që do të kryesohet nga Presidenti i Republikës, me pjesëmarrjen e SHBA dhe BE-së, do të sigurohen forma të përshtatshme të vendosjes konsensuale për pjesëmarrjen e faktorit politik shqiptar.”
Marrëveshja “e përfaqësuesve legjitim të partive politike të shqiptarëve”, e datës 22 maj 2001, njëkohësisht është paraqitur edhe si parakusht që në institucionet e shtetit dhe të qeverisë të fillojë dialogu për gjetjen e zgjidhjes politike për krizën e shkaktuar. Kjo marrëveshje, në të njëjtën kohë, ia ka hapur dyert demilitarizimit. Në thelb, Marrëveshja paraqet një ofertë mjaft të hapur për autoritetet e shtetit maqedonas për një zgjidhje paqësore të krizës.
Megjithatë, në vend të dialogut dhe zbutjes së krizës, me refuzimin energjik të ofertës për negociata, konflikti i armatosur u përshkallëzua. Duke pretenduar se konflikti është “importuar” nga Kosova, kryeministri Ljubço Georgievski dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ljube Boshkovski, në mënyrë direkte kanë kontribuar në përshkallëzimin e konfliktit të armatosur.
Para dhe gjatë shpërthimit të konfliktit të armatosur të vitit 2001 kërkesat politike të shqiptarëve në Maqedoni janë pranuar edhe nga përfaqësuesit e UÇK-së. Disa pohojnë se përputhja e kërkesave politike të shqiptarëve dhe të UÇK-së nuk është e rastësishme. Në mesin e këtyre, dy kërkesa janë themelore: kërkesa për ruajtjen e integritetit territorial dhe të sovranitetit e të karakterit unitar të Republikës së Maqedonisë dhe kërkesa për dialog si formë primare e komunikimit për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe problemet e bashkëpunimit në aspektin e ndërtimit dhe të funksionimit të pushtetit qendror në Maqedoni. Sipas Deklaratës së 25 prillit të vitit 2001, UÇK-ja para “opinionit” e ka theksuar kërkesën “për ruajtjen e integritetit dhe të sovranitetit të Ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë. “Në dy ose tri Deklaratat e fundit të UÇK-së, të bëra publike, është paraqitur qëndrimi që insiston në ruajtjen e integritetit territorial të Maqedonisë dhe në dialogun midis palës maqedonase dhe shqiptare. Kjo natyrisht do të çojë në përmirësimin e statusit të popullit shqiptar në drejtim të njohjes së statusit të popullit shtetformues… përmes ndryshimeve të duhura të Kushtetutës dhe menjëherë më pas do të pasojë shpallja e armëpushimit të njëanshëm, që faktorit ndërkombëtar t’i jepet mundësia të përballet me situatën reale.”
Me rritjen dhe forcimin e retorikës antishqiptare dhe antiamerikane në disa media të brendshme dhe ndërkombëtare, u paraqit fenomeni i deklaratave të shpeshta të zyrtarëve të lartë të Maqedonisë, të cilët gjithnjë e më shumë e theksonin domosdoshmërinë e respektimit të parimit të paprekshmërisë së kufijve ndërkombëtarë, veçanërisht duke theksuar paprekshmërinë e kufijve shtetërorë të shtetit të ri, Maqedonisë.
Megjithatë, maturia dhe mençuria më në fund fituan, armët heshtën për t’i hapur rrugë procesit të brendshëm politik. MirjanaMalevska, menjëherë pas arritjes së Marrëveshjes së Prizrenit, në intervistën e saj për revistënNewBalkanPolitics, duke shprehur mendimin e saj personal, ndër të tjera ka përfunduar: Në lidhje me platformën e udhëheqësve të partive politike shqiptare për një veprim të përbashkët, besoj se kjo platformë nuk është e pakuptimtë. Përkundrazi! Sepse, sipas kësaj platforme është shprehur dëshira për ndërprerjen e veprimeve të armatosura dhe zgjidhjen e problemeve nëpërmjet një procesi të brendshëm politik. Me këtë platformë kërkohen reforma të cilat nuk do ta rrezikojnë integritetin e Maqedonisë; çfarëdo lloj ndarje në baza etnike është në dëm të qytetarëve të Maqedonisë dhe të paqes në rajon. Me këtë nuk kërkohet asgjë më tepër nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve se ajo që ata janë duke kërkuar për më tepër se njëzet vjet. Në të kundërtën, unë do të thosha se ata kërkojnë më pak… ”
Strugë, 14 gusht 2026



