Hoti: Jemi të gatshëm për një president të pranueshëm për të gjitha palët

17 gusht 2026 | 12:26

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se LDK-ja është e gatshme të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit institucional dhe në zgjedhjen e presidentit të vendit.

Hoti ka bërë me dije se partia ka hequr dorë nga kërkesa për balancë institucionale, duke kërkuar që fillimisht të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria, ndërsa për presidentin të gjendet një kandidat i pranueshëm për të gjitha palët.

I pyetur nëse LDK-ja do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për të martën, ku pritet të diskutohet çështja e presidentit, Hoti ka deklaruar se për këtë do të ketë njoftim zyrtar nga partia.

“Besoj se do të keni një njoftim zyrtar nga Lidhja Demokratike e Kosovës lidhur me këtë çështje”, ka thënë Hoti.

Ai ka treguar se brenda strukturave të LDK-së është diskutuar gjerësisht për këtë çështje dhe se është arritur në përfundimin që t’i jepet mundësi themelimit të institucioneve të vendit.

“Kemi diskutuar gjerësisht për këtë çështje brenda strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kemi ardhur në përfundim që, në funksion të shterimit të situatës, t’i japim mundësi që të ecet përpara me themelimin e institucioneve të vendit dhe kemi hequr dorë nga kërkesa jonë, që besoj është legjitime, për çështje të balancës së institucioneve… Besoj që kërkesa jonë ka qenë legjitime për balancë të institucioneve, por, duke u përballur me bllokadë të institucioneve në mënyrë jo kushtetuese, prandaj e kemi këtë nismë legjislative, ne kemi hequr dorë nga ajo kërkesa jonë dhe kemi treguar gatishmërinë tonë që, në fazën kur vijmë te diskutimi për të zgjedhur presidentin, të jemi konstruktivë në gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme dhe të pranueshme për gjithë spektrin politik”, ka deklaruar Hoti.

Sipas tij, partia që ka dalë e para në zgjedhje i ka votat e mjaftueshme, bashkë me partnerët e saj, për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë.

“Partia që ka dalë e para në zgjedhje i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur, bashkë me partnerët e saj, sigurisht, kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë, dhe mandej për të hapur diskutimet për presidentin e vendit, dhe aty i kemi 60 ditë mandej për të kryer diskutimet që, nëse mund të arrijmë te një kandidat që është i pranueshëm për të gjitha palët. Edhe ne, si Lidhje Demokratike e Kosovës, shprehim gatishmërinë tonë që të kontribuojmë në atë proces”, ka thënë ai.

Hoti ka theksuar se LDK-ja ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit.

“Edhe ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë ta kërkojmë me ngulm thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit. Nuk ka asnjë arsye për vonesat, por secila prej partive politike i ka, si të thuash, qasjet e veta, e ka mënyrën e vet të veprimit. Ne kemi këtë qasje, ne jemi LDK, asnjëherë nuk kemi, as nuk kemi promovuar, as nuk i kemi mbështetur, as nuk i kemi përdorur çfarëdo forme që është jashtë, si të thuash, filozofisë së veprimit tonë politik”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka vlerësuar se ekziston hapësirë mes të gjitha forcave politike për zgjedhjen e një presidenti të pranueshëm për të gjitha palët.

“Unë besoj që ka hapësirë në mes të gjitha forcave politike për t’i dhënë vendit një president që është i pranueshëm për të gjitha palët. Vetëm në këtë pikë tash ka mbetur hapësira për diskutim. Diskutimet e tjera nuk ka mbetur pra gatishmëri dhe as hapësirë dhe as vullnet prej nesh që të bëhen”, ka përfunduar Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se partia e…