Avdullah Hoti për shkarkimin e Blerim Isufajt: Ish-luftëtari i lirisë që hetoi pushtetin
Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Abdullah Hoti, ka reaguar ashpër pas shkarkimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, duke e vënë theksin te e kaluara e tij si ish-luftëtar i lirisë së Kosovës dhe te rastet e ndjeshme që Prokuroria kishte trajtuar gjatë mandatit të tij.
“Aktakuza për krimet e luftës në Prekaz. Hetime mbi skandalet e ministrave të Qeverisë Kurti. Por, ‘performancë e dobët’. Dhe çfarë ndodhë? Shkarkohet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj”, ka shkruar Hoti.
Sipas Hotit, Isufaj ishte “një njeri i luftës për lirinë e Kosovës” dhe një zyrtar me integritet të lartë profesional, i cili po largohej nga detyra pikërisht kur Prokuroria po merrej me dosje tejet të ndjeshme, përfshirë edhe hetime që preknin zyrtarë të pushtetit.
“Qeveria Kurti nuk po kërkon drejtësi të pavarur, por drejtësi që i përshtatet pushtetit”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka thënë se Isufaj ishte përballur me pushtetin përmes punës së Prokurorisë dhe se, sipas tij, shkarkimi i tij lidhej me faktin se prokurori nuk ishte i kontrollueshëm nga pushteti.
“Sepse kur prokurori bëhet problem vetëm pse nuk është i kontrollueshëm, problemi nuk është prokurori. Problemi është pushteti që kërkon kontroll mbi drejtësinë”, ka shkruar Hoti.
“Kosova nuk u krijua si një shtet ku Qeveria vendos se kë duhet ta hetojë drejtësia”, ka shtuar ai.
Në fund, Hoti ka paralajmëruar se pushtetet ndryshojnë, ndërsa përgjegjësia mbetet.
“Pushtetet ndryshojnë, veprimet e turpshme si ky i sotmi mbeten. Ligji vonon, por e gjen secilin”, ka përfunduar ai.



