Kërkohet paraburgimi ndaj personit që dyshohet se kanosi punëtorët e KRU “Mitrovica”
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet F.Sh., i cili dyshohet se ka kanosur punëtorët e KRU “Mitrovica” dhe ka shkrepur me armë zjarri në drejtim të automjetit zyrtar të kësaj kompanie.
Sipas Prokurorisë, ai dyshohet për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Kanosja”.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se, më 29 korrik 2026, në fshatin Pantinë të Komunës së Vushtrrisë, pasi tre punëtorë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Mitrovica’ kishin bërë shkyçjen e furnizimit me ujë në pronën e tij, i pandehuri F.Sh. i ka kanosur ata dhe ka shkrepur armë me gaz në drejtim të automjetit zyrtar të KRU ‘Mitrovica’”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë.



