Tahiri: Aleanca do ta dërgojë në prokurori çështjen e 18 komisioneve të themeluara nga qeveria
Shefi i deputetëve të Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se kjo parti do ta dërgojë në prokurori çështjen e vendimeve të qeverisë në detyrë për themelimin e 18 komisioneve, të cilat, sipas tij, janë krijuar për emërime në agjenci ekzekutive e qeveritare dhe në pozita publike.
Tahiri ka akuzuar qeverinë në detyrë se po vazhdon me emërime, edhe pse, sipas tij, nuk ka legjitimitet për të ndërmarrë veprime të tilla, ndërsa ka kërkuar që këto vendime të anulohen menjëherë. “Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë 18 vendime, duke themeluar 18 komisione, diku me njerëz të njëjtë, për t’i emëruar në agjenci ekzekutive, në agjenci qeveritare, në një pozitë si sekretar permanent, në një kohë kur kjo qeveri është në detyrë, kur kjo qeveri nuk ka legjitimitet, kur kjo qeveri është duke e bllokuar shtetin, kur këta ministra e shkelin ligjin për qeveri, duke ardhur të betohen si deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe prej këtu duke hyrë për detyrën e duhur të tyre dhe duke shkuar në ministri. Pra, në qoftë se e shohim ligjin për qeveritë që e kam këtu, neni 31, që flet për kufizimet e qeverisë në dorëheqje, e neni 1.3 thotë kështu”, ka thënë ai.
Sipas Tahirit, qeveria në detyrë nuk duhet të zhvillojë procedura të reja për emërime në pozita publike, ndërsa ka paralajmëruar se çështja do të trajtohet edhe në aspektin juridik. “Procedura të reja për emërimin në pozita publike, për emërimin e të cilave është kompetencë në bazë të ligjeve përkatëse. Le që po vazhdojnë me bërë emërime. Le që po vazhdojnë me bërë komisione, mirëpo edhe po përgatiten që jo vetëm në nivel politik, të shkeljes së ligjit të betimit të deputetit, ta shkelin Kushtetutën, mirëpo po ashtu edhe në administratën e shtetit”, ka deklaruar ai.
Më tutje, Tahiri ka thënë se Aleanca nuk do të lejojë, siç ka thënë, që administrata shtetërore të vihet në funksion të një partie dhe ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj personave përgjegjës. “Nuk guxojmë asnjë qeveri, e as kjo që nuk ka legjitimitet, që ta kthejë administratën e shtetit në funksion të një partie. Dje kemi thënë që si Aleancë nuk do të lejojmë që të kemi një parti-shtet dhe sot po ju themi që kjo logjikë duhet të ndalet menjëherë. Këto vendime të jashtëligjshme duhet të anulohen menjëherë, përderisa këta anëtarë të komisionit që marrin pjesë në një procedurë të jashtëligjshme duhet të kenë shumë kujdes, për shkak se Aleanca këtë çështje do ta ngrejë në Prokurorinë përgjegjëse, duke e trajtuar këtë temë përmes një kallëzimi penal, për shkak se kjo është mënyra e vetme e jona që të pengojmë një kapje të shtetit në formën më flagrante të mundshme”, është shprehur ai.
Tahiri ka deklaruar se kjo nuk është e vetmja çështje për të cilën, sipas tij, ka shkelje dhe ka paralajmëruar se do të ngrihen edhe raste të tjera që lidhen me ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga deputetët e betuar. “Ditën në vijim do të ngrihen edhe raste të deputetëve të tjerë. Për shkak se nuk ka shkelje vetëm në këtë pikë. Ka shkelje edhe në pika të tjera… Pastaj, ka të bëjë me shkeljen tjetër që ndërlidhet me funksionet e dyfishta që deputeti i betuar e ushtron edhe në një zyrë ku nuk do të duhej të hynte”, ka deklaruar Tahiri.



