AKK-ja: Komunat protestojnë më 1 shtator para qeverisë
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka njoftuar se komunat do të protestojnë më 1 shtator para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Vendimi është marrë të martën në takimin e Këshillit të Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës.
“Sot, në takimin e Këshillit të Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës, u vendos që më 1 shtator 2026, në orën 11:00, të organizohet protestë në Sheshin “Skënderbeu”, përballë ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka njoftuar AKK-ja.
Sipas njoftimit, kryetarët e komunave janë dakorduar që përmes protestës të kërkojnë mbrojtjen e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale.
Po ashtu, ata kërkojnë kompensimin e obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive, zbatimin e normës së përvojës së punës prej 0.5 për qind nga buxheti i nivelit qendror, si dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.
Kryetarët e komunave kërkojnë gjithashtu financim të drejtë për komunat dhe ndalimin e ndërhyrjeve të nivelit qendror në autonominë lokale.
Sipas AKK-së, protesta do të jetë paqësore, institucionale dhe jopartiake, në mbrojtje të interesave të komunave dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Më 1 shtator, Komunat e Kosovës e ngrenë zërin së bashku”, ka njoftuar AKK-ja.



