Haxhiu: Duhet marrëveshje për presidentin, t’i shmangim zgjedhjet e reja

18 gusht 2026 | 10:47

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas takimit me liderët e 11 subjekteve politike është diskutuar mundësia për tejkalimin e ngërçit institucional dhe arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.

Haxhiu ka thënë se qëllimi i takimit ishte që partitë të gjejnë një rrugë të përbashkët përpara, duke paralajmëruar se konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje për presidentin mund të çojë në përsëritjen e krizave të mëparshme.

“Sapo përfundova takimin me liderët e subjekteve politike të cilët iu përgjigjen pozitivisht ftesës sime për takim, ishin 11 liderë të partive politike të cilët përfaqësohen edhe në Kuvendin e Kosovës, qëllimi i këtij takimi ishte që në rrethanat në të cilat jemi të shohim që a kemi ndonjë rrugë që të ecim bashkë përpara në mënyrë që të shmangim ngërçin institucional, në qoftëse hymë në konstituimin e Kuvendit pa një marrëveshje për presidentin mund të përsëritet kriza e vitit të kaluar dhe po ashtu e këtij viti. E dimë ku na dërgon mungesa e dialogut apo refuzimi i takimeve”, ka thënë Haxhiu në konferencë për medie.

Ajo ka thënë se nuk pret që partitë politike të pajtohen për gjithçka, por kërkoi që të jenë të gatshme të diskutojnë për funksionimin e shtetit.

Haxhiu ka propozuar që diskutimet të nisin konkretisht edhe për emrat e mundshëm për president, duke kërkuar një kandidat konsensual dhe që nuk i përket një partie politike.

Sipas Haxhiut, gjatë takimit është përmendur edhe qëndrimi i LV-së se presidenti duhet të jetë nga kjo parti.

Ajo ka paralajmëruar se zgjedhjet e reja nuk garantojnë domosdoshmërish zgjidhjen e krizës politike.

“Duhet të kontribuojmë maksimalisht për çështjen e marrëveshjes për president dhe patjetër duhet të shmangen zgjedhjet e parakohshme, unë nuk pres që partitë politike të pajtohen për gjithçka, pres që të jenë të gatshme të flasin për funksionimin e shtetit. Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci që një palë e zgjedhjeve të reja do të na bëjnë që të merremi vesh nesër. Le të fillojmë të flasim me emra të përveçshëm për një kandidat konsensual, për një kandidat që nuk është në njërën parti politike. Kryetari i LV-së e përmendi që duan që presidenti të jetë nga partia e LV-së”, është shprehur ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë me…