Gjykata Ndërkombëtare Penale hedh poshtë sanksionet e reja të ShBA-së
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) ka kundërshtuar fuqishëm sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara ndaj kryetares së saj, Tomoko Akane, dhe juristit të lartë në Zyrën e Prokurorit, Abdoulaye Seye.
Gjykata me seli në Hagë i ka cilësuar masat si “sulm flagrant” ndaj pavarësisë së saj gjyqësore, duke paralajmëruar se sanksionet ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit minojnë sundimin e ligjit dhe rrezikojnë rendin juridik ndërkombëtar.
GjNP-ja ka bërë me dije se nëntë nga 18 gjyqtarët e saj, dy zëvendësprokurorë, një ish-prokuror dhe një anëtar i stafit janë tashmë nën sanksione amerikane.
Gjykata ka theksuar se, pavarësisht masave dhe kërcënimeve, do të vazhdojë të përmbushë mandatin e saj në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, në përputhje me Statutin e Romës dhe në interes të viktimave të krimeve ndërkombëtare.



