Gabimi ynë ai politikë kosovare mund të ketë shumë emërtime, shumë të veçanta e të përveçme, porse ka një emërues të përbashkët: të vërtetën.
Pikërisht me të vërtetën!
Arsyet mund të jenë të shumta, nga më të ndryshmet, porse kjo tash pak ka rëndësi. E rëndësishme është se 16 shtatori nxori lakuriq në shesh se ne nuk e kishim kuptuar rëndësinë e jashtëzakonshme, nuk e kishim të qartë rolin vendimtar dhe se naivisht e merrnin si të vetëkuptueshme të vërtetën.
Atë të vërtetë, mbi të cilën, realisht, ngrihet e tërë godina e vlerave të njerëzimit, e posaçërisht kjo e vendeve Perëndimore.
E vërteta gjithnjë është, në instancë të fundit, vendimtarja në gjithçka, e posaçërisht në historinë e popujve.
E vërteta është themeli mbi të cilin ngrihet liria.
E vërteta është vlera themeltare e njerëzimit përgjithësisht, e cila merret si referencë përfundimtare për të konstatuar një fakt, një raport, një ndodhi, një ngjarje.
Madje, edhe ata që duan ta manipulojnë të vërtetën, ta shtrembërojnë, ta tjetërsojnë e ta mohojnë, para popujve të tyre e para opinionit e bëjnë duke u thirrur në të vërtetën!
Sepse e vërteta është autoriteti përfundimtar që konfirmon ose përgënjeshtron një pretendim.
Prandaj, e gjithë historia intelektuale dhe kulturore në tërë globin na tregon pikërisht se përpjekja e njerëzimit dhe e tërë lufta e tij ndër mileniume, është njohja e së vërtetës, e asaj që është ashtu sikurse është, si realiteti i njëmendtë.
Sepse prej njohjes së realitetit të vërtetë varet ekzistenca, jeta, siguria, arritjet ose dështimet, progresi ose regresi i një populli, i një shteti.
Këtë na e kumton historia e njerëzimit.
Me mileniume njerëzimi jetoi duke u udhëhequr nga ajo që i prezantohej si e vërtetë hyjnore, por dikur e kuptoi se ajo ishte e paarritshme për të sepse ai kishte të bënte me një realitet tjetër – atë empirike, faktik, historik. Jeta e përditshme, rreziqet, kushtet ekzistenciale e bënë njerëzimin të kërkojë një të vërtetë konkrete, të kapshme, të qasshme për secilin, që ajo t’i shërbente si busull orientimi, vlerësimi, gjykimi, qëndrimi e veprimi në realitetet tokësore.
Kërkimin e së vërtetës si synim thelbësor të njerëzimit e bëri substancë të veten filozofia, që nga themelvënësi i saj Thalesi. Filozofia tregoi se njohja e së vërtetës, si realitet, nuk është luks, po është kusht ekzistencial që të shquhej ajo që ishte nga ajo që nuk ishte, realiteti nga imagjinata, trillimi, nga iluzioni, shtrembërimi, me qëllim që të kuptohej drejt e të veprohej korrekt, në përputhje me realitetin shoqëror e politilk në të cilën jetonte. Kjo është merita kryesore e filozofisë e cila edhe sot e kësaj dite e ushqen intelektualisht njerëzimin për t’u mbështetur te e vërteta.
Edhe shkencat e ndryshme si astronomia, matematika, mjekësia, historia, fizika, biologjia, kimia, sociologjia, psikologjia, ekonomia e shumë disiplina të tjera e kanë objekt studimi të vërtetën e fushës së tyre.
Ajo që e shquan qasjen dialektike është se ajo e sheh si proces njohjen e së vërtetës, ashtu që çdo ndryshim shkakton një përplotësim të pikturës së realitetit që duhet të ndiqet në hap për ta perceptuar dhe për ta njohur.
Kjo bëhet më thelbësore në sferën shoqërore, e sidomos në atë politike, pasi që ka të bëjë me shtetin dhe pushtetin, dhe për shkak të interesave heterogjene e shpesh të kundërta, ka prirje që e vërteta të diktohet nga më të fuqishmit, të shmanget ajo, të manipulohet e të keqpërdoret, ose edhe të mohohet me anë të forcës.
Konsideroj se pikërisht në raport me të vërtetën e saj e ka humbur hapin Kosova, politika, qeveritë e shteti, sepse nuk kanë bërë aq sa kanë mundur të bëjnë për ta ndriçuar, përçuar e argumentuar me fakte, të dhëna, dëshmi, prova. Mbase, është besuar se ajo njihet, dihet. Po pikërisht kur merret diçka si e garantuar kur nuk është, nis rrëshqitja në gabim. Duket se nuk kemi nxjerrë mësimin e duhur as nga filozofia e as nga zhvillimi shkencave; thjesht nuk e kemi kuptuar peshën madhore që ka e vërteta jonë për t’ia prezantuar vazhdimisht botës, duke e bërë akutalizimin e së vërtetës sonë si vlerë themeltare të lirisë sonë, të shtetbërjes sonë, të pavarësisë dhe të rendit demokratik.
Ajo që ka ndodhur nuk mund të zhbëhet, sepse nuk kemi një makinë udhëtimi në kohë që të kthehemi pas e të korrigjojmë gabimin.
Veçse mund të bëhet diçka tjetër, një kthesë e madhe që po e kërkon momentumi: partitë politike, liderët, deputetët, qeveria dhe mekanizmat e shtetit ta kuptojnë se lufta për të vërtetën tonë është jetike dhe vendimtare për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Dhe të vënë në veprim tërë resurset në funksion të vërtetës dhe vetëm të së vërtetës së Kosovës.
Kjo është rruga për t’u integruar në Perëndim me vlera që ngrihen mbi të vërtetën.
Dhe të mësohet se si bën Perëndimi për ta mbrojtur, për ta mbajtur aktuale, ndriçuar, madhëruar dhe respektuar të vërtetën e vet.
Me ato mekanizma e instrumente të veprojmë edhe ne, në të njëjtën frymë.
Nuk ka legjitimitet më të madh në botë se të angazhohesh si popull, si komb, si shtet, si politikë për të vërtetën që e ke përjetuar, vuajtur dhe ke derdhur gjak e je sakrifikuar flijuar për të.
Nëse kemi gabuar dikur dhe tash po e shohim se sa i rrezikshëm qenka ai, mos të gabojmë përsëri.
Të nxjerrim mësimin, shpejt.
Bashkë.
Vetëm bashkë.
Sepse e vërteta jonë nuk është pronë e askujt, ajo i përket secilit pa përjashtim dhe të gjithëve njëherit.
Koha nuk pret, sepse jemi vonuar.
Tash është momentumi kur duhet të gjithë si individë, si politikanë, si parti, si lider, si deputtê e si qeveri të vendosemi në kursin me busullën e së vërtetës.
Vetëm kjo busull do të na e tregojë rrugën më të mirë në dispozicion për t’i dalë zot të vërtetës sonë dinjitetshëm e me integritet, juridikisht, intelektualisht, filozofikisht, politikisht e shtetërisht.
Dikur historia jonë kërkonte të rroken armët për çlirim e për liri.
Sot ajo po kërkon të ngrihemi në lartësinë e përgjegjësisë që të dëshmojmë me korrektësi të vërtetën tonë.