Letër publike Komandantit Legjendar Adem Jasharit

04 tetor 2026 | 11:27

Një vendim gjykate që mendon se e përmbys historinë e shqiptarëve

Dr. Sc. Aferdita (Bali) Dervishi

Lufta është veprim historik! Ju e dini Komandant, sa kemi pritur për të kaluar nga fjalët në vepra?! Dikush thoshte e thotë edhe sot e gjithë ditën, se bash hiç s’ke pas të drejtë që je ankuar e ju ke kërkuar armë e municione shokëve të LPK-së, Dega Jashtë Vendit. Po, pra, edhe ju thoshe se lufta nuk ishte jashtë, por në Kosovë. Dorën në zemër edhe demonstratat, edhe rezistenca edhe lufta ka qenë e vështirë brenda vendit, se siç thonë në Drenicë “pasuli hahej kokrra-kokrra”….
E nisa këtë bashkëbisedim me Ju Komandant, për Hashimin, Kadrinë, Calin, Rexhepin, Jakupin, Pjetrin, që po mbahen në burg tash e gjashtë vjet. Dhe po ju pyes përnjëmend Komandant, jo veç hajt, sa për të folur. A mendoni Ju se këta djem meritojnë të shahen? Çka thoni Ju, Komandant, se Hashimi me shokë, paskan faj, që po i mbajnë qe gjashtë vjet në Hagë. A e ke ditur Ti, Komandant, apo ata, se nëse ndonjë individi, thuajse të krisur nga mendja, vërtetë nga dhembja, atje në mal, ju ka pikë në kokë t’a marrë hakun, ose ta vras dikë, kokë me vete, edhe për hasmëri e punë personale?!
Ti e ke thënë vetë Komandant, bashkë me familjen tënde, se çmimi i lirisë sonë ishte i madh. Kush nuk erdhi këtu, o Komandant pas ardhjes së lirisë, e na mbajtën më shumë se tetë vjet llafe e përralla, se si bëhet demokracia, e aq shumë gjëra të tjera, sa nuk i mban as lapsi, Ndër të tjera, na detyruan, me lloj-lloj shpifjesh e intrigash, e kërcënimesh, të votojmë për themelimin e Gjykatës speciale, gjoja për ta dëshmuar se Ushtria Çlirimtare, të cilën e formove Ti, nuk paska bërë trafikim organesh gjatë luftës. Nuk e di a ke dëgjuar Ti, atje në atë të ftohtin e tokës, që ta ka flladitur ballin, siç po e thotë një këngë, se gjykata themelohej, për t’i dëshmuar, jo vetëm Dick Martit e Carla Del Pontes, por gjithë botës, sidomos Evropës, se UÇK-ja nuk ka bërë krime e trafikim organesh dhe nuk ka qenë organizatë kriminale, por ka qenë pjesë e popullit për të mbrojtur dinjitetin shqiptar, dhe për ta përzënë armikun tonë shekullor nga tokat tona!
NE ISHIM NË SHTËPINË TONË. NE NUK SHKUAM NË SERBI, POR ISHIM NË TOKËN TONË, NË KOSOVË, KU U VËRSULËN, USHTRIA, POLICIA ME PARAMILITARËT SERBË, ATA SHKELËN ME TANKE TOKËN TONË. ATA NA VRANË, NA MASAKRUAN, NA POSHTËRUAN, E NA DOGJËN SHTËPI E KATANDI-PSE ISHIM SHQIPTARË!

Nuk e di a të kanë thënë atje te Varri, ku të flladitet balli, se mbi një milion shqiptarë na dëbuan nga shtëpitë tona! Dhe tani, kërkohet të dënohen prijësit e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare, të dënohet jo vetëm UÇK-ja, por edhe historia, që e solli në skenë atë luftë, pra të dënohet edhe liria jonë! Nuk e di a e duron varri yt, atje ku pushon përjetshëm, o Komandant Legjendar, këtë padrejtësi që bëhet në emër të drejtësisë, vetëm të njërës anë, vetëm për shqiptarët.
Komandant, kur dhuna e terrori, na la pa shkollë, pa universitet, pa spitale, pa punë, kur hasmi ynë shekullor na hyri edhe në shtëpi, lufta ishte e pashmangshme. Lufta jonë ishte, të jesh a të mos jesh! Ti Komandant, kur na prive në atë luftë, na tha se duhet të jemi! Por, Ti legjenda jonë kombëtare, që ke rënë për liri, je i mirë, se ke vdekur, nuk të hapet gjyq se ke rënë për liri, nuk të ndjekin organet e drejtësisë ndërkombëtare, se je në varrin tënd të përjetshëm. Për Zotin që na ka falë, Komandant, edhe luftëtarët që kanë lënë gjymtyrët e veta në fushëbetejë, edhe Ramushi, që ka qenë krahu e mburoja e pjesës së kufirit, sot po shahen. Shyqyr që nuk po të bjen rruga këndej, se nuk i kishe duruar. Zoti është i madh, e ishalla nuk zgjohesh nga varri, se të kishin sha edhe ty! Ka raste kur mundohem t’i kuptoj, se ju kemi prishur vëllazërim–bashkimin, të cilin disa e vajtojnë sot e kësaj dite!
Komandant, djemtë tanë në Hagë, qëndruan siç u ka hije luftëtarëve të lirisë! Qëndruan e do të qëndrojnë siç ke qëndruar edhe ti, por barra e padrejtësisë ndërkombëtare, është bërë e padurueshme. Ju thanë se keni vrarë njerëz, që kanë qenë me armikun, por ata nuk mund të marrin barrën komanduese, për ata pak individëve, kushdo qofshin ata, që kanë mundur të bëjnë ndonjë veprim jashtë normave ndërkombëtare të luftës, se paskan vrarë ndonjë civil serb a shqiptar që ishte bërë dorë e zgjatur e armikut. Mbase edhe ju kanë errësuar sytë ndonjërit, kur ka parë si i kanë përdhunuar vajzën, gruan, a motrën, dhe e ka vrarë atë shqiptar që ka qenë bashkë me forcat serbe. Heu i lumtë dora. Edhe unë e kisha vra, atë bir bushtre që flet shqip e ma prek familjen, Komandant!
Po sulmohen çlirimtarët, po sulmohen viktimat o Komandant, e po mbrohet agresori. Merre me mend, Komandant, aq e vlefshme paskësh qenë lopa e filanit, që e paskësh marrë dikush në luftë, sa të merret Gjykata Speciale në Hagë?! Si nuk i ra ndërmend kësaj gjykate se pas luftës ka pasur mbi 6000 shqiptarë të zhdukur (tani ka rënë numri në rreth 1600). Një gjykatë që mbi 70% të dosjeve i ka mbledhur nga Serbia. Po dosje nga po ajo Serbi që e ka bombarduar NATO-ja, për krimet e gjenocidin që bënte në Kosovë kundër shqiptarëve. E njëjta Serbi, që ishte shkaktare e tri luftërave në këtë Ballkanin tonë, ku sidomos tokat shqiptare, asesi të bëhen bashkë. Po, Komandant, po, dosjet janë të Serbisë dhe të bashkëpunëtorëve të tyre shqipfolës, pra të agresorit të njohur botërisht. Ato dosje Komandant, po përdoren kundrejt fakteve kokëforta të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ti e di Komandant, se e ke përjetuar edhe vet, shqiptarëve u janë prerë pjesë të trupi,është bërë gjenocid, janë vrarë fëmijët e të gjitha anëve të Kosovës, janë prerë e therë bebet e pa-lindura në barkun e nënës – veç pse ishin shqiptarë.
Për 16 muaj luftë, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe kanë vrarë mbi 15 mijë shqiptarë, deri tashti dihen se i kanë vrarë e therur, 1432 fëmijë, janë përdhunuar me mijëra nëna e motra tona. Janë bërë më shumë se 400 masakra ndaj popullit shqiptar, kurse mbi një milion njerëz shqiptarë, o Komandant, i dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre.
Ku ka krahasim më normal, se JU, Komandant, që mbrojte jo vetëm shtëpinë tënde, por nderin e një kombi, e të vranë me tërë familjen, shokë e miq, asnjeri deri më sot nga ju të vrarët, nuk është akuzuar. Komandant, po ta them me dorë në zemër, të ishe gjallë me siguri sot do të ishe ne burgun e Gjykatës Speciale në Hagë, bashkë me luftëtarët tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe të kishin sulmuar nën brez, një armatë e tërë analfabetësh e pa kurrizorësh. Se Ti, i lavdishmi Komandant Legjendar i UÇK-së, nuk e di, se janë shkruar edhe libra ku të quajnë tradhtar, ku të akuzojnë se ke vrarë gra e fëmijë të familjes, e çka jo tjetër, vetëm që të bëjnë emër. Po të ishe gjallë, e ruana zot, po të kishe mendim ndryshe nga politika e ditës, disa shqiptarëve, pa ju dridhur syri, edhe tradhtar të kishin quajtur!
Komandant, lum si Ti, që nuk po e sheh si po shahen luftëtarët e lirisë, veteranët, komandantët, po quhen të vetëshpallur, si po e nxijnë e po e anatemojnë Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lirinë po e shijojnë të gjithë, pa dallim, por ama, për çdo gjashtë a shtatë muaj që kemi zgjedhje, luftëtar e lirisë i shajnë, i përbuzin, bile prekin edhe familje…. Ka aq shumë raste, kur shkohet deri atje, se luten e urohet të mos dalin kurrë nga burgu djemtë tanë. Dhe në ditë festash, e përkujtimesh, i madh e i vogël vijnë në Prekaz, aq shumë prej tyre që të shihen në televizion, të dalin në mediume publike, të bëjnë foto dhe t’i shpërndajnë në Facebook, a në Instagram. Ndonjëherë edhe i ngatërrojnë aq pamëshirshëm, ata që luftuan vërtetë, me ata që luftuan me fjalë. Ehu, sa trimat i kishim pas nëpër rrjete sociale?! Por ama, as edhe në kryeqytetin e Kosovës së Lirë, në Prishtinë, për të cilën flijove gjithçka të jetës Tënde, nuk është gjetur ndonjë vend për ngritjen e shtatores Tënde, që të vijmë e të bisedojmë ndonjëherë kur jemi ngushtë e nuk dijmë kah t’ja mbajmë. Nuk është gjetur vende as për Ju, as për Bacë Adem Demaçin, as për Xhavit Hazirin e as për Ahmet Haxhiun-Bacën, me të cilët i fillove krismat e para të lirisë!
Komandant, Ti nuk e di, e sa mirë që as nuk i ke parë, e as nuk i ke dëgjuar, se aq shumë kishin frikë nga lavdia e Adem Demaçit, sa nuk pranuan t’a votojnë as për President të vendit. Si për inat të historisë, më beso, Komandant, në librat e historisë të shkollës fillore, ka diku një faqe për UÇK-në, kurse mësohet edhe për Babiloninë e Persinë. Por në Ditën e Pavarësisë, ora e parë e mësimit i kushtohet luftës për liri dhe heronjve. Së paku atë ditë ju kujtojmë siç duhet. Në këtë orë të historisë flitet për Komandantin Legjendar, Adem Jashari, për heronjtë dhe për njeriun, që shpalli pavarësinë e Kosovës, Hashim Thaqin. Pas kësaj dite, harrohen, thuajse nuk ka pasur kurrë luftëtarë të Lirisë, as Komandant Legjendar! Nuk e di, a ke dëgjuar Komandant, se u dënuan ata që luftuan për lirinë tonë. Kurrë në historinë e njerëzimit nuk ka ndodhur që të dënohen ata që bënë përpjekje t’i dalin në mbrojtje vendit të vetë, tokës arbërore, nga vrasjet dhe nga gjenocidi, që Serbia po bënte ndaj popullit shqiptar të Kosovës! Me forcën Tënde, atje nga amshimi, na ndihmo Komandant! Na ndihmo të shpëtojmë lavdinë e UÇK-së! Na ndihmo pasi që je atje, sepse të ishe i gjallë edhe Ty të kishin dërguar bashkë me shokët në Gjykatën Speciale të Hagës, se në Kosovë nuk kishte vend për Gjykata të tilla, duke të akuzuar pse ke luftuar për liri, pse je sakrifikuar me tërë familjen për liri!
I nderuari Komandant, Adem Jashari!
Kur kujtojmë të rënët për lirinë e kësaj toke, që quhet Kosovë, kur kujtojmë djemtë tanë që mbahen padrejtësisht në Hagë, e po dënohen, si kriminelë, bëhemi pjesë e idealit kombëtar, për të cilin kanë rënë Dëshmorët e Kombit! Po pra, të gjithë ata që kanë gjak shqiptari, nuk pranojmë të na dënohen në emrin tonë, djemtë tanë, luftëtarët e tu, o Komandant, që ishin pjesë e procesit të madh historik–luftës për liri. JO, NË EMËR TË POPULLIT! Tri shkronjat e arta të UÇK-së mbeten përjetësisht shenjë e lirisë sonë, dhe asnjëherë, sa të jemi mbi këtë tokë, nuk do të lejojmë të shkelen në emër të popullit shqiptar. Se liria e atdheut tonë, është më e madhe se çdo parti, më e madhe se çdo pozitë, më e madhe se çdo qeveri.
I nderuari Komandant Legjendar, Adem Jashari, ani pse UÇK-ja e ka sjellë lirinë, të pabesët, gjithmonë do të gjejnë diçka për të shpifur, siç kanë shpifur shumë spiunë shqipfolës, të paguar nga Serbia për të dëshmuar kundër bashkëluftëtarëve tuaj, HashimThaqit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Sali Mustafa e Pjetër Shala.
I Paharrueshmi Komandant Legjendar i UÇK-së, më datë 16 shtator 2026, djemtë tanë janë dënuar me 81 vjet burg, kurse janë bërë gjashtë vjet që ata nuk e shohin Kosovën. Mbase i ke parë me fuqinë e shpirtit, sa dinjitoz që ishin! Por, përkundër krejt Gjykatave të botës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Komandant Legjendar i së cilës je, me bashkëluftëtarët e juaj, populli nuk i dënon! Sepse nuk ka gjykatë që e dënon luftën për liri të UÇK-së, as historinë e një kombi. Populli shqiptar gjithandej është ngritur në këmbë kundër padrejtësisë, kundër këtij dënimi të orkestruar në Serbi, të proklamuar nga Charles Smith, një gjykatës që paskësh punuar me vinte kundër ne shqiptarëve dhe për të dënuar ushtarët e UÇK-së për arsye politke (Malcolm Simmons – ish gjyqtar i EULEX-it, Maria Bamieh – ish prokurore e EULEX-it). Komandant, rinia shqiptare, trashëgimtarët e denjë të kombit shqiptar, bashkë me popullin janë bashkë kundër kësaj padrejtësie, thirrjen tonë le ta dëgjojë gjithë bota e deri në qiell JO NË EMRIN TIM!
Përjetësi Lavdie për Ju, Komandant, familjen tuaj dhe të gjithë Dëshmorët e Kombit, kurdo dhe kudo që kanë rënë për lirinë e atdheut!
Mirënjohje pakufi!

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thirrur…