Hamza: Nëse dikush tjetër ka plan ta çojë vendin në zgjedhje, është temë tjetër

04 tetor 2026 | 14:32

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka ftuar në takim Grupin Parlamentar të kësaj partie për t’i njoftuar mbi takimin e djeshëm mes tij dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Para gazetarëve, Hamza është shprehur se qëndrimi i PDK-së nuk është vetëm për këtë parti, sepse, sipas tij, UÇK-ja është përtej çdo subjekti politik.

Sipas tij, Kosova është më e madhe se gjithçka.

“Kërkesa dhe qëndrimi i PDK-së është kjo, nuk është për PDK-në. Sepse UÇK-ja është më e madhe se PDK-ja. Historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës janë më të mëdha se gjithçka. Kosova është më e madhe se ne. Ne po thoshim: të aprovohet ligji në të dyja leximet, pastaj të propozohet emri për president dhe të zgjidhet presidenti e të shmangen zgjedhjet. Nëse dikush tjetër ka plan ta çojë vendin në zgjedhje, është diçka tjetër”, ka deklaruar Hamza.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, para mbledhjes së Grupit Parlamentar dhe të Kryesisë, është shprehur se PDK-ja asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë shtetërore.

Musliu ka vlerësuar se po mundohen të bëjnë më të mirën për Kosovën.

“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë shtetërore e institucionale, nuk i ikën as sot. Jemi duke u munduar të bëjmë më të mirën për Kosovën. Në rrethanat në të cilat jemi, gjithmonë jemi duke u munduar të bëjmë më të mirën për Kosovën, prandaj, në vazhdën e angazhimit tonë, kemi edhe takimin e sotëm”, ka deklaruar Musliu.

Ajo është shprehur se pas takimit do të tregojë se çka është diskutuar në detaje dhe ka theksuar se çështja që nuk pret është ligji për Dhomat e Specializuara.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dje është takuar me kreun e VV-së, Albin Kurti, por takimi nuk ka rezultuar me një marrëveshje.

Krahas çështjes së presidentit, PDK-ja po insiston që deri më 6 tetor të miratohet në të dyja leximet në Kuvendin e Kosovës edhe Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen, i proceduar nga Qeveria të premten.

Ndërkohë, në një aktgjykim të 23 shtatorit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka sqaruar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, nga dita kur është konstituuar Kuvendi, dhe përfundon më 6 tetor./KP

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shkruan: Hajdin Abazi Gabimi ynë ai politikë kosovare mund të…