Musliu: PDK-ja asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë shtetërore e institucionale
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, para mbledhjes së kryesisë është shprehur se kjo parti asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë shtetërore dhe institucionale, duke theksuar se edhe në rrethanat aktuale po angazhohen për të bërë më të mirën për Kosovën.
Musliu ka deklaruar se takimi i sotëm i kryesisë është pjesë e angazhimit të PDK-së, ndërsa ka refuzuar të japë përgjigje për çështjet që do të diskutohen në mbledhje, duke u shprehur se do të flasë pas përfundimit të saj.
“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë shtetërore e institucionale, nuk i ikën as sot. Jemi duke u munduar të bëjmë më të mirën për Kosovën, në rrethanat në të cilat jemi. Gjithmonë jemi duke u munduar të bëjmë më të mirën për Kosovën. Prandaj, në vazhdën e angazhimit tonë, e kemi edhe takimin e sotëm.
E tani, hipotetikisht, asnjë përgjigje nuk e jap unë. Kur të dal nga mbledhja, ju tregoj se çka kemi folur në mbledhje, por përderisa nuk jam futur në mbledhje, është kjo. E them edhe një herë, nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë shtetërore si Partia Demokratike e as asaj institucionale. Jemi duke u munduar, në rrethanat në të cilat jemi, të bëjmë më të mirën për Kosovën. Ajo çka nuk pret momentalisht është Ligji për Dhomat e Specializuara, të tjerat presin”, ka deklaruar Musliu.



