‘Gjysmë milioni euro zhvatje’ Ramadani: 463 të emëruar marrin paga, prokuroria të veprojë

19 gusht 2026 | 11:24

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka ngritur shqetësime për, siç ka thënë, shkelje financiare gjatë situatës aktuale politike.

Ramadani ka deklaruar se rreth 463 persona të emëruar politikë në institucionet qeveritare vazhdojnë të marrin paga nga buxheti i Kosovës, duke pretenduar se bëhet fjalë për persona të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Jemi duke folur për gjysmë milioni euro zhvatje vetëm për pagat e militantëve të VV-së në zyrat e qeverisë”, ka deklaruar Ramadani.

Sipas tij, këta persona, përfshirë këshilltarë, shoferë dhe staf të kabineteve, janë emëruar para zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa pas certifikimit të ministrave si deputetë, sipas interpretimit të tij, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë detyrat në ministri.

Ramadani ka thënë se shuma mujore e pagave për 463 të emëruarit arrin rreth 486 mijë e 150 euro.

Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të nisë hetimet dhe të përcaktojë përgjegjësinë për pagesat që, sipas tij, po bëhen nga buxheti i Kosovës.

“Ne ftojmë Prokurorinë e Shtetit që menjëherë të marrë veprimet e nevojshme hetimore, t’i gjejë përgjegjësit dhe t’i vendosë para drejtësisë këta që po e zhvatin Kosovën”, ka deklaruar Ramadani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka reaguar në lidhje me zhvillimet në…