“Miqtë e Amerikës” festojnë 80-vjetorin e Clintonit me Zjarrfikësit e Prishtinës

19 gusht 2026 | 11:51

Në një aktivitet simbolik të organizuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së ish-presidentit amerikan Bill Clinton, Shoqata “Miqtë e Amerikës” zgjodhi Brigadën e Zjarrfikësve të Prishtinës për t’i përcjellë urimet dhe mirënjohjen e popullit të Kosovës.

Me këtë rast, drejtuesit e brigadës dhe përfaqësuesit e shoqatës vlerësuan bashkëpunimin ndër vite dhe kontributin e zjarrfikësve, ndërsa theksuan edhe lidhjen e veçantë të Kosovës me ish-presidentin Clinton dhe mbështetjen e tij për vendin.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka falënderuar Shoqatën “Miqtë e Amerikës” që zgjodhi këtë institucion për ta shënuar ditëlindjen e ish-presidentit amerikan Bill Clinton.

Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, ka theksuar se nuk është e rastësishme që për 80-vjetorin e lindjes së ish-presidentit Bill Clinton është përzgjedhur Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës.

“Jo rastësisht ju kemi zgjedhur juve, sepse me vite e me vite Brigada e Zjarrfikësve, ish-komandanti, komandanti aktual, si dhe ju të gjithë zjarrfikësit, s’keni hezituar në asnjë rast kur ka pasur nevojë për ndonjë aktivitet, për ndonjë ndërhyrje. Ju keni bërë një punë të jashtëzakonshme. I keni bërë nder institucionit tuaj, i keni bërë nder komunës, i keni bërë nder shtetit, i keni bërë nder kombit”, ka thënë Rexhepi.

Gjithashtu, nga Kosova ish-presidentit Clinton iu dërgua një letër mirënjohjeje dhe urimi për ditëlindje. “Është një bexh, është një fletëpalosje e aktivitetit të shoqatës, është një dizajn i caktuar ku është letra edhe dizajni, edhe letra që do t’i dërgohet Presidentit Clinton. Është një kartolinë ekskluzive që ia kemi dedikuar për këtë aktivitet, sepse është jubile. Edhe çka është edhe më e veçanta: është një notes ku është fytyra edhe jubileu, edhe urimi ynë, mirëpo po e kemi shpërndarë edhe një sasi të pinave – do t’ia çojmë zotëri Ilirit – që nuk ka qenë sasi e vogël”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka theksuar se simbolika më e madhe e këtij urimi është mesazhi që i është përcjellë Clintonit në emër të popullit dhe shtetit të Kosovës.

“Urimi ka shkuar në emër të popullit të Kosovës, shtetit të Kosovës, mirëpo kemi thënë: ‘Shqiptarët nuk harrojnë’. Mendoj që kjo është mesazhi më i fuqishëm, më i miri, më i ndershmi edhe më i sinqerti çfarë kemi mundur ne me i treguar Presidentit Clinton”, ka thënë Rexhepi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka pritur…