PDK-ja kërkon vazhdimin e seancës: Shkelja e afatit s’e shuan detyrimin për konstituimin e Kuvendit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës për nesër në orën 11:00.
Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, përmes një shkrese drejtuar Deharit, ka kërkuar që vazhdimi i seancës të bëhet në përputhje me nenin 9 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Sipas PDK-së, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë sa i përket respektimit të Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Mosrespektimi i afateve procedurale të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, është thënë në kërkesën e PDK-së.
PDK-ja i është referuar edhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet.
“Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”, është theksuar në kërkesën e kësaj partie.



