Shoqërohet në polici një protestues, dyshohet se hodhi mjete piroteknike drejt objekteve shtetërore
Policia e Kosovës ka bërë me dije se është duke vazhduar me “masat dhe planifikimet e nevojshme” derisa po zhvillohet protesta përreth Kuvendit, ndërsa ka njoftuar se një protestues është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe “procedura të mëtejme”, pasi “dyshohet se ka poseduar dhe ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore”.
Policia ka thënë në një deklaratë për media se gjatë protestës disa persona “kohë pas kohe kanë tentuar të futen brenda rrethojave të Kuvendit, si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme, mjete piroteknike, drejt objekteve shtetërore të Kosovës”.
Komunikata e policisë:
Angazhimet policore në mbarëvajtje të sigurisë
Prishtinë, më 05 tetor 2026
Protesta e qytetarëve ka vazhduar edhe sot, duke qëndruar pranë objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të shprehur vazhdimin e pakënaqësive lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe për të pritur votimin e plotësim-ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara.
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, ka vazhduar me masat dhe planifikimet e nevojshme për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtjen e protestës, në mënyrë që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore.
Policia shoqëron në stacion një protestues që hodhi mjete piroteknike drejt objekteve shtetërore
Protestuesit kanë vazhduar të qëndrojnë përreth objektit të Kuvendit të Kosovës, ku persona të caktuar, pjesëmarrës në protestë, kohë pas kohe kanë tentuar të futen brenda rrethojave të Kuvendit, si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme, përfshirë mjete piroteknike, drejt objekteve shtetërore të Kosovës.
Policia e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë për qytetarët, si dhe mbrojtjes së pronës publike, në vazhdimësi ka kërkuar nga pjesëmarrësit që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos hedhin mjete piroteknike apo gjësende të ndryshme.
Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të zyrtarëve policorë që të protestohet në mënyrë të qetë, Policia e Kosovës është detyruar të marrë masa ndaj një protestuesi, i cili dyshohet se ka poseduar dhe ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore. Ai është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme.
Policia e Kosovës e rithekson se njeh të drejtën e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike, si dhe apelon te të gjithë pjesëmarrësit që të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet.
Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, ku siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore, si dhe mbarëvajtja e protestës, vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës.



