Hoti: Qeveria po krenohet me eksportin e thëngjillit, ndërsa më herët kishte anuluar projekte madhore në sektorin e energjisë
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me kontratën që Qeveria e Kosovës ka nënshkruar me Maqedoninë e Veriut për shitjen e thëngjillit.
Hoti ka kritikuar qeverinë, duke thënë se ajo po krenohet me eksportin e thëngjillit, ndërsa më herët kishte anuluar projekte madhore në sektorin e energjisë.
Ai ka rikujtuar se, pas gjashtë vitesh të LV-së në pushtet, nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri stabil energjetik, as me thëngjill dhe as me gaz.
Sipas Hotit, eksportimi i lëndës së parë dhe më pas importimi i produktit të gatshëm të prodhuar nga ajo lëndë e parë tregon varfërinë ekonomike dhe mungesën e vizionit për zhvillim.
Reagimi i plotë i Hotit në “Facebook”:
Pas anulimit të projekteve madhore energjetike, Kosova tash krenohet me eksportin e thëngjillit. E në anën tjetër, importon energjinë e prodhuar nga ai thëngjill.
Dhe kjo ndodh pas 6 vitesh të LV-së në krye të qeverisë, gjatë të cilave vite asnjë kapacitet i ri energjetik stabil nuk është ndërtuar, as me thëngjill e as me gaz.
Ky na qenka “tranzicioni energjetik” i Kosovës nën udhëheqjen e LV-së.
Kushdo që merr vesh në ekonomi, e di se vendi që eksporton lëndë të parë dhe importon produktin e gatshëm të prodhuar plotësisht nga ajo lëndë e parë, siç është rasti konkret, tregon varfërinë e vet ekonomike dhe mungesën e vizionit për zhvillim.
Sa të padijshëm e sa të mbrapshtë.



