I shpëtoi ekzekutimit 8 herë, vdes i burgosuri më i vjetër në ShBA

20 gusht 2026 | 14:20

Francis Clifford Smith, i cili u bë i njohur si i burgosuri që kaloi më shumë vite në një burg në Shtetet e Bashkuara, ka vdekur në moshën 101-vjeçare.

Smith u dënua për vrasje në vitin 1950, kur ishte 25 vjeç, por gjatë gjithë kohës e kishte mohuar fajësinë. Ai ishte akuzuar në vitin 1949 për vrasjen e Grover Hart, një roje nate në një klub në Connecticut.

Smith ishte njëri prej dy personave të arrestuar për rastin. I dyshuari tjetër pranoi një marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe dëshmoi kundër tij. Më pas, Smith u shpall fajtor për vrasje të shkallës së parë.

Megjithatë, me kalimin e viteve, ndaj çështjes u ngritën dyshime serioze. Disa dëshmitarë të përfshirë në rast tërhoqën deklaratat e tyre, ndërsa një i burgosur tjetër deklaroi se ai vetë e kishte kryer vrasjen.

Edhe një prej hetuesve që kishte marrë në pyetje Smithin deklaroi më vonë se besonte se ai ishte i pafajshëm.

Këto dyshime bënë që Smith t’i shpëtonte tetë herë ekzekutimit. Në vitin 1954, dënimi me vdekje iu ndryshua në burgim të përjetshëm.

Në total, Smith kaloi më shumë se 70 vjet pas grilave, me disa periudha të shkurtra jashtë burgut.

Në vitin 1967 ai u arratis nga burgu, por u kap pas 12 ditësh. Ndërsa në vitin 1975 u lirua me kusht dhe qëndroi i lirë për rreth 10 muaj. Më pas u arrestua për vjedhje dhe armëmbajtje, shkelje që çuan në rikthimin e tij në burg.

Në vitet e fundit të jetës, Smith vuante nga demenca dhe probleme të tjera shëndetësore të lidhura me moshën.

Historia e tij mbetet një prej rasteve më të pazakonta të sistemit penal amerikan, pasi Smith kaloi pjesën më të madhe të jetës në burg, ndërsa dyshimet për fajësinë e tij vazhduan për dekada.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka paralajmëruar…