Çmimi Nobel në Mjekësi u shkon tre shkencëtarëve për zbulimet që mundësojnë kontrollin e qelizave nervore me dritë

05 tetor 2026 | 13:06

Tre shkencëtarë janë nderuar me Çmimin Nobel në Mjekësi për zbulimet e tyre që mundësojnë kontrollin e aktivitetit të qelizave nervore me dritë. Karl Deisseroth, Peter Hegemann dhe Georg Nagel janë vlerësuar për kërkimet mbi kanalet jonike të kontrolluara nga drita dhe optogjenetikën.

Çmimi është njoftuar këtë të hënë në Institutin Karolinska në Stokholm, duke shënuar nisjen e javës së Çmimeve Nobel.

Komiteti Nobel i ka vlerësuar tre shkencëtarët për “zbulimet që çuan në optogjenetikë”, një metodë që mundëson aktivizimin ose çaktivizimin e aktivitetit të qelizave nervore individuale në një tru të gjallë.

“Kjo metodë tani po përdoret në laboratorë anembanë botës për të zbuluar misteret e trurit”, ka shkruar komiteti në platformën sociale “X”.

Çmimi këtë vit është 12 milionë korona suedeze, rreth 1.2 milionë dollarë.

Vitin e kaluar, Çmimi Nobel në Mjekësi iu është dhënë Mary E. Brunkow, Fred Ramsdell dhe Dr. Shimon Sakaguchi për zbulimet mbi mënyrën se si sistemi imunitar sulmon mikrobet, duke shmangur dëmtimin e vetë organizmit.

Puna e tyre ka zbuluar një mekanizëm kyç që trupi përdor për të mbajtur sistemin imunitar nën kontroll, i njohur si toleranca imunitare periferike. Ekspertët i kanë cilësuar këto gjetje si thelbësore për kuptimin e sëmundjeve autoimune, përfshirë diabetin e tipit 1, artritin reumatoid dhe lupusin.

Çmimi Nobel në Mjekësi pasohet të martën nga Çmimi Nobel në Fizikë, të mërkurën nga ai në Kimi dhe të enjten nga Çmimi Nobel në Letërsi.

Çmimi Nobel për Paqen do të shpallet të premten, ndërsa Çmimi Nobel Memorial në Shkencat Ekonomike do të shpallet më 12 tetor.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kampionia dhe nënkampionia e Kosovës në basketboll do t’i nisin…