Pse shërbimi sekret serb interesohet për “qarqet islamiste” në Kosovë?

20 gusht 2026 | 00:15

Dy raste të spiunazhit të zbuluara në Kosovë kanë nxjerrë në pah interesimin e Agjencisë së Informacionit të Sigurisë së Serbisë (BIA) për persona të lidhur me qarqe radikale islamiste.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, në këto raste nuk bëhet fjalë vetëm për mbledhje informacioni, por edhe për identifikimin e personave që mund të kontaktoheshin dhe rekrutoheshin nga shërbimi serb.

Më 13 gusht, autoritetet në Kosovë arrestuan Fehim Salin, nën dyshimin për spiunazh. Sipas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, Sali dyshohet se i ka ofruar një zyrtari të BIA-s informacione për situatën politike në Kosovë, përfshirë të dhëna për pjesëtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Ai dyshohet gjithashtu se ka dhënë informacione për persona që i përkisnin qarqeve vehabiste dhe se disa prej tyre ua ka propozuar zyrtarëve të BIA-s si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën katër telefona dhe 40 mijë euro. Gjykata ka miratuar kërkesën për 30 ditë paraburgim.

Ky është rasti i dytë i rëndësishëm brenda pak muajsh. Në qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me gjashtë vjet burgim Hysri Selimin, për spiunazh në favor të BIA-s. Sipas aktakuzës, ai kishte bashkëpunuar me shërbimin serb për më shumë se 15 vjet.

Selimi kishte udhëtuar në Siri në vitin 2015 dhe ishte bashkuar me organizatën terroriste Shteti Islamik. Pas kthimit në Kosovë, ai kishte vuajtur dënim për pjesëmarrje në organizata terroriste.

Prokuroria pretendoi se Selimi i kishte dhënë BIA-s informacione për shqiptarët që iu bashkuan Shtetit Islamik, organizimin e tyre dhe aktivitetet në Siri, si dhe për persona të tjerë pas kthimit në Kosovë. Sipas aktakuzës, ai merrte deri në 700 euro në muaj. Selimi i ka mohuar akuzat.

Pse interesohet BIA për qarqet radikale?

Ekspertët vlerësojnë se mbledhja e informacionit për grupet e radikalizuara mund të lidhet me interesat e sigurisë së Serbisë dhe luftën kundër terrorizmit.

Predrag Petroviç nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë thotë se informacionet për komunitetet selefiste mund t’i shërbejnë Serbisë për identifikimin e kërcënimeve të mundshme dhe për shkëmbimin e informacionit me shërbimet perëndimore të sigurisë.

Por eksperti i sigurisë dhe politikës së jashtme në Uashington, Adrian Shtuni, e sheh çështjen në një kontekst më të gjerë.

Sipas tij, aktivitetet e BIA-s në Kosovë mund të lidhen edhe me përpjekjet e Serbisë për të ruajtur ndikimin në Kosovë, për të krijuar rrjete inteligjence dhe për të penguar konsolidimin e Kosovës si shtet sovran.

Shtuni thekson se duhet bërë dallim mes mbledhjes së informacionit për qëllime sigurie dhe rekrutimit të personave për zgjerimin e një rrjeti agjentësh.

Ai paralajmëron se depërtimi i mundshëm në qarqet radikale islamiste mund të krijojë mundësi për ndikim, destabilizim dhe shfrytëzim të krizave në të ardhmen.

Ndërkohë, Petroviç paralajmëron se Serbia mund ta përdorë edhe rrezikun e ekstremizmit islamist për t’ua paraqitur vendeve perëndimore Kosovën dhe rajonin si një hapësirë me potencial destabilizues.

Autoritetet e Kosovës kanë hetuar edhe raste të tjera të dyshuara të bashkëpunimit me shërbimet serbe. Mes personave të akuzuar për spiunazh janë zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe persona që kanë pasur qasje në informacione të ndjeshme.

BIA nuk ka komentuar publikisht akuzat e fundit.

Rastet e Salit dhe Selimit kanë rikthyer në vëmendje shqetësimet për aktivitetin e shërbimeve serbe në Kosovë dhe për përdorimin e rrjeteve të ndjeshme sociale e fetare për mbledhje informacioni dhe ndikim./Marrë nga REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një helikopter u rrëzua në rrethana të paqarta në rrëzë…