Theret një person në Krushë të Madhe, arrestohet i dyshuari
Një person është lënduar me mjet të mprehtë gjatë një përleshjeje fizike në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit, ndërsa i dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës. Rastin e ka konfirmuar Vlera Krasniqi, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Gjakovës.
Ajo ka bërë të ditur se personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit, ndërsa Policia ka sekuestruar edhe mjetin e dyshuar që dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
“Në koordinim me prokurorin e shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe i njëjti është ndaluar për 48 orë. Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndërkohë, sipas burimeve, dyshohet se i arrestuari është nga Rogova e Hasit dhe se paraprakisht i ka dalë në pritë të dëmtuarit në Krushë të Madhe. Sipas këtyre pretendimeve, incidenti ka ndodhur edhe në prani të familjarëve të të dëmtuarit.
Rrethanat dhe motivi i rastit janë duke u hetuar nga organet kompetente.



