Vlora Mjekoqi-Kabashi jep dorëheqje nga të gjitha funksionet në LDK: Liria është mbi çdo parti
Asambleistja e Kuvendit Komunal të Obiliqit, Vlora Mjekoqi-Kabashi, ka njoftuar dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha funksionet dhe detyrat që ka mbajtur në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Mjekoqi-Kabashi, e cila është edhe kryetare e Forumit të Gruas të LDK-së në Obiliq dhe delegate në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie, ka bërë të ditur se nga sot do të veprojë si asambleiste e pavarur në Kuvendin Komunal të Obiliqit.
Ajo ka deklaruar se vendimi i saj lidhet me qëndrimin ndaj luftës së UÇK-së, të cilën e konsideron luftë për liri dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja.
“E vetëdijshme se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri, e mbështetur edhe nga SlBA-ja dhe NATO-ja, dhe e bindur se liria është më shumë se çdo përkatësi partiake, pasi LDK-ja nuk e mbështeti këtë parim themelor se liria është mbi çdo parti, jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha detyrat dhe funksionet që kam në LDK”, ka deklaruar ajo.
Mjekoqi-Kabashi ka falënderuar qytetarët e Obiliqit për besimin e dhënë përmes votës, duke bërë të ditur se do ta vazhdojë mandatin e saj si asambleiste e pavarur.
“Prandaj, nga sot e tutje jam asambleiste e pavarur në Kuvendin Komunal të Obiliqit! Ju falënderoj për besimin që më keni dhënë”, ka përfunduar ajo.



