Haxhiu në mbështetje të volejbollisteve të Kosovës në Taranto
Federata e Volejbollit të Kosovës ka shprehur mirënjohje për mbështetjen institucionale që iu dha ekipit të volejbollit në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e shoqëruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala, ka ndjekur nga afër ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Algjerisë.
Mbështetja institucionale është shoqëruar edhe me një moment historik për volejbollin kosovar, pasi vajzat e Kosovës kanë regjistruar fitoren e parë në volejbollin e femrave në kuadër të Lojërave Mesdhetare.
Paraqitja e sportisteve nga Kosova është vlerësuar si dëshmi e punës, përkushtimit dhe sakrificës së tyre për ta përfaqësuar denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Federata e Volejbollit të Kosovës ka falënderuar Presidenten Haxhiu, ministrin Krasniqi dhe ambasadoren Shala për praninë dhe mbështetjen e tyre ndaj ekipit.
“Kosova është me ju!” ishte mesazhi që prania e përfaqësuesve institucionalë përcolli për sportistet kosovare në këtë ngjarje të rëndësishme sportive.



