Komuna e Podujevës ka nisur dëgjimet publike për projekt-buxhetin e vitit 2027

21 gusht 2026 | 12:23

Komuna e Podujevës ka filluar ciklin e dëgjimeve publike për hartimin e Projekt-Buxhetit për vitin 2027, me qëllim përfshirjen e qytetarëve në përcaktimin e prioriteteve dhe planifikimin e investimeve komunale. Dëgjimi i parë publik është mbajtur dje në fshatin Kërpimeh, me banorët e këtij fshati dhe të fshatrave përreth.

Në dëgjim morën pjesë nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arbnorë Uka-Osmani, drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Ahmet Ahmeti, zyrtarë komunalë dhe anëtarë të Kuvendit të Komunës.

Takimin e hapi nënkryetari Restelica, i cili foli për rëndësinë e dëgjimeve publike dhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në procesin e hartimit të buxhetit. Ai theksoi se kërkesat dhe propozimet e qytetarëve janë të rëndësishme për identifikimin e nevojave dhe përcaktimin e prioriteteve për investimet e ardhshme të Komunës.

Në vazhdim, drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arbnore Uka-Osmani, prezantoi Qarkoren e Dytë Buxhetore, duke paraqitur planifikimet kryesore të project-buxhetit për vitin 2027.

Pas prezantimit, qytetarët parashtruan pyetje, kërkesa dhe sugjerime lidhur me nevojat e lokaliteteve të tyre, për të cilat diskutuan së bashku me përfaqësuesit komunalë.

Komuna e Podujevës ka planifikuar gjithsej shtatë dëgjime publike për Projekt-Buxhetin e vitit 2027, të cilat do të vazhdojnë të mbahen gjatë ditëve në vijim në lokalitete të ndryshme të komunës.

Komuna e Podujevës ka ftuar  qytetarët të marrin pjesë në dëgjimet publike dhe të paraqesin kërkesat, propozimet dhe prioritetet e tyre, në mënyrë që të jenë pjesë aktive e procesit të hartimit të buxhetit komunal për vitin 2027 dhe që nevojat e komunitetit të reflektohen sa më mirë në planifikimet buxhetore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) dhe Organizata…