“Pagesë mbi 1.5 milionë euro pa u kryer shërbimet” – Pacolli me akuza të rënda ndaj ish-drejtorit të Mabetex, Valon Lluka
Behgjet Pacolli, ka publikuar akuza të reja ndaj Valon Llukës, ish-drejtor i Mabetex Holding dhe ish-administrator i kompanisë VIA.
Pacolli ka pretenduar se ndaj Llukës janë paraqitur kallëzime në Prokurorinë në Prishtinë për dyshime për abuzime dhe keqpërdorim të detyrës, duke përmendur raste që lidhen me kompaninë “Presteel”, fabrikën e kërpudhave në Mitrovicë dhe raste të tjera.
Sipas Pacollit, Lluka rezulton i përfshirë edhe në një rast tjetër, ku pretendohet se kishte urdhëruar vartësit e tij në një kompani të grupit që administronte të kryenin një pagesë mbi 1.5 milion euro.
“Sipas dokumentacionit të verifikuar, ai kishte URDHËRUAR vartësit e tij, në një kompani të grupit që administronte, të kryenin një pagesë prej mbi 1.500.000 eurosh, pa dëshmi se shërbimet ishin kryer dhe pranuar, siç kërkohej shprehimisht nga kontrata”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka pretenduar po ashtu se një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe gjatë vitit 2025, kur, sipas tij, nga kompanitë e Grupit Mabetex ishin bërë pagesa prej rreth 1.6 milion eurosh në kompaninë “Alhami” në Abu Dhabi, mbi bazën e faturave për shërbime që, sipas pretendimeve të tij, nuk kishin ndodhur.
Pacolli ka deklaruar se Gjykata në Abu Dhabi, sipas tij, në fillim të muajit gusht 2026 kishte shpallur një aktvendim duke urdhëruar kthimin e këtyre mjeteve në favor të Grupit Mabetex.
“Gjykata në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara, mbasi verifikoi se Valon Lluka kishte bërë pagesa me fatura fiktive, në fillim të gushtit 2026 shpalli aktvendimin dënues duke urdhëruar kthimin e këtyre mjeteve në favor të Grupit Mabetex”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka ngritur pretendime edhe për pagesa që, sipas tij, ishin bërë nga Mombasa në llogari të Llukës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Riga.
Sipas Pacollit, ndaj Llukës në Emirate po hetohet edhe likuidimi i Mabetex Emirate, për të cilin pretendon se ishte bërë pa autorizim dhe në dëm të Grupit Mabetex.
“Kundër Valon Llukës në Emirate po hetohet edhe likuidimi i Mabetex Emirate pa autorizim dhe në dëm të Grupit Mabetex, duke përdorur referencat e kësaj të fundit në favor të kompanisë së tij që kishte formuar atje sa ishte i punësuar në Mabetex”, ka deklaruar ai.
Pacolli ka thënë se atje po zhvillohet edhe një proces tjetër penal ndaj Llukës për, siç ka shkruar, “mashtrime të tjera”.
Në fund të reagimit, ai ka kërkuar që edhe institucionet e drejtësisë në Kosovë t’i hetojnë deri në fund rastet e përmendura.
“Në Kosovë po ashtu shpresoj që drejtësia, ashtu si në Emiratet e Bashkuara, t’i hetojë deri në fund të gjitha këto raste dhe të përcaktojë përgjegjësinë ligjore për dëmin e shkaktuar nga këto veprime ilegale”, ka përfunduar Pacolli.



