Vjen fitorja e parë në Lojërat Mesdhetare, volejbollistet e Kosovës mposhtin Algjerinë
Kombëtarja e Kosovës në volejboll ka shënuar fitoren e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Volejbollistet dardane kanë triumfuar bindshëm 3:0 në sete ndaj Algjerisë, në ndeshjen e zhvilluar të premten paradite.
Kosova e ka dominuar takimin që nga fillimi, duke shfrytëzuar edhe nivelin më të dobët të kundërshtarit.
Seti i parë ka përfunduar 25:19, ndërsa në të dytin Algjeria ka arritur të marrë vetëm 10 pikë. Në setin e tretë, algjerianet kanë grumbulluar 14 pikë.
Kjo ishte fitorja e parë e Kosovës në “Taranto 2026”, pasi një natë më parë volejbollistet dardane ishin mposhtur 3:0 nga Greqia.
Në grupin e Kosovës bëjnë pjesë edhe Maqedonia e Veriut dhe Turqia, ndërsa në grupin tjetër janë Italia, Bosnjë-Hercegovina, Egjipti dhe Serbia.
Kosova po merr pjesë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” me gjithsej 163 sportistë.



