Kisha në Vushtrri, i moshuari: S’jemi kundër vëllezërve katolikë, por kundër bandave që po na përçajnë

23 gusht 2026 | 14:54

Disa qytetarë kanë protestuar sot në fshatin Zogaj të Vushtrrisë kundër “Lëvizjes për Rikthim” dhe ndërtimit të një kishe në këtë fshat.

Gurthemeli i kishës është vendosur disa ditë më parë.

Para protestuesve ka folur Hakif Sinani, një i moshuar nga Vushtrria, i cili ka thënë se janë mbledhur për të shprehur pakënaqësinë e tyre, duke theksuar se janë kundër, siç i ka quajtur ai, “bandave” që po përpiqen t’i përçajnë shqiptarët mes vete.

“Ne këtu sot jemi mbledhur për ta shprehur pakënaqësinë tonë, po na bëhet e padrejtë, nuk kemi ardhur ta kërcënojmë askënd. S’jemi kundër as fesë katolike e as myslimane, vëllezër jemi, bashkë kemi luftuar. Por, kemi ardhur kundër këtyre bandave që po mundohen të na përçajnë mes vete, që po financohen okupatori serbo-rus. Ne nuk jemi kundër katolikëve, sepse s’mund të jemi pasi jemi vëllezër, por jemi kundër këtyre që po mundohen të na përçajnë. Këto përçarje po bëhen me mësimin e Vuçiqit e dreqit e të birit. Mos e lejoni, ju bëj thirrje edhe katolikëve që të mos i lejojnë të hyjnë në mesin e tyre dhe mesin tonë. As nuk bën që ne t’i lejojmë derisa ata kanë kohë të ngrenë gurë nëpër fusha pasi është e padrejtë dhe e panevojshme. Të na përçajnë në liri tonë, po më doket diçka shumë rëndë”, ka deklaruar ai, raporton KP.

Ndërkaq, njëri nga organizatorët e protestës ka theksuar se janë të papranueshme përpjekjet për ta përdorur fenë si instrument politik përmes projekteve që, sipas tij, perceptohen si kisha katolike.

“Shqiptarët me shekuj e kanë dëshmuar se mund të jenë shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare. Myslimanë, katolikë e ortodoksë kanë jetuar krah për krah, kanë sakrifikuar së bashku dhe e kanë ruajtur identitetin kombëtar përtej dallimeve fetare. Pra, kjo është pasuri e jonë dhe ajo që ne duhet ta mbrojmë. Prandaj, çdo thirrje për vëllavrasje, çdo gjuhë urrejtje, çdo përpjekje për ta kthyer shqiptarin kundër shqiptarit dhe çdo etiketim i tjetrit për shkak të besimit të tij duhet të dënohet. Ajo që e nxit vëllain të ngrihet kundër vëllait, nuk e mbron fenë, por po e shkatërron atë. Ai që mbjell urrejtje në mes shqiptarëve, nuk po i shërben kombit, por po i shërben përçarjes. Të papranueshme janë përpjekjet për ta përdorur fenë si instrument politik përmes projekteve që krijojnë tensione të panevojshme ose perceptohen si kisha katolike”, ka deklaruar ai.

Pas fjalimeve, protesta është përmbyllur e qetë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë parë forca të shtuara të Policisë së Kosovës, së bashku me KFOR-in.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Curtis Jones është zyrtarisht futbollist i Interit, duke u larguar…