Aleanca demanton Rizvanollin: Dokumenti nuk është i qeverisë Haradinaj
Aleanca ka reaguar ndaj deklarimeve të ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, lidhur me riparimin e vagonëve të Trainkos në Serbi.
Aleanca ka akuzuar Rizvanollin se po përpiqet t’i relativizojë dhe fshehë, siç i quan kjo parti, “skandalet aktuale të bashkëpunimit me Serbinë”.
Sipas AAK-së, dokumenti që Rizvanolli ka publikuar në “Facebook” është i datës 17 prill 2017, ndërsa qeveria Haradinaj është votuar më 9 shtator të po atij viti, pesë muaj pas datës së dokumentit.
“Dokumenti që deputetja Rizvanolli ka publikuar në profilin e saj zyrtar i takon datës 17 prill 2017, ndërsa qeveria Haradinaj është votuar më 9 shtator 2017, plot pesë muaj pas dokumentit të cilit ajo po i referohet”, është thënë në reagimin e Aleancës.
Partia që drejtohet nga Ardian Gjini, ka kërkuar nga Rizvanolli që të japë përgjigje lidhur me punëtorët e ndërmarrjeve publike, për të cilët pretendon se po kërcënohen me largim nga puna pasi kanë denoncuar parregullsi.
Aleanca i është referuar edhe rastit të fundit në Trainkos, duke kërkuar të sqarohet nëse ka edhe punëtorë të tjerë që përballen me masa të tilla.
“Tregojini opinionit se pse edhe sot e kësaj dite, këta ekspertë nga Serbia gjenden dhe operojnë lirshëm brenda hapësirave të Trainkos”, është thënë në reagim.
Aleanca ka përsëritur akuzat ndaj pushtetit aktual, duke thënë se zyrtarët përgjegjës do të japin llogari për veprimet e tyre.
“Nuk pritet asgjë përpos gënjeshtrave prej njerëzve që ilegalisht i kanë uzurpuar institucionet e shtetit dhe për të cilët, e ritheksojmë edhe një herë, se do të japin përgjegjësi”, është thënë në reagimin e Aleancës.



