Intervistë me gjeneralin Hisen Berisha: Thaçi, Kurti dhe e ardhmja politike e Kosovës

24 gusht 2026 | 13:46

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, gjenerali Hisen Berisha, në një intervistë për “Epokën e re” ka folur për procesin në Hagë, situatën politike në vend dhe daljen nga kriza institucionale.
Berisha ka theksuar se me kthimin e Hashim Thaçit fiton Kosova dhe e drejta jonë për shtetin e pavarësinë. “Thaçi është një prej figurave më të identifikueshme të atij establishmenti dhe një prej arkitektëve të shtetësisë së çdo etape dhe pasluftës”, ka thënë ai.
Për situatën e krijuar politike në vend, Berisha e bën përgjegjëse LV-në, por nuk e përjashton as opozitën. “Përgjegjësinë kryesore e mban ai që ka kapacitetin më të madh për ta zhbllokuar situatën. Në këtë rast, përgjegjësia politike bie para së gjithash mbi forcën që ka dalë e para nga zgjedhjet dhe mbi liderin që pretendon të formojë institucionet. Por kjo nuk e përjashton opozitën”, thotë gjenerali Berisha.

Intervista e plotë:

“Epoka e re”: Z. Berisha, Kosova është në pritje të vendimit të Hagës për çlirimtarët. Kush fiton politikisht në Kosovë me ardhjen e Hashim Thaçit si fitimtarë pas procesit përfundimtar në Hagë?
Hisen Berisha: Shpallja e Hashim Thaçit i pafajshëm, fitimi i parë nuk do të ishte i një partie politike, por i parimit të drejtësisë dhe i figurës historike të luftës dhe shtetformimit të Kosovës. Padyshim se fiton Kosova dhe e drejta jonë për shtetin e pavarësinë. Për PDK-në dhe spektrin politik që lidhet me trashëgiminë politike të Thaçit, pafajësia e tij do të ishte një kapital i madh moral dhe politik. Por do të ishte naivitet të mendohej se kjo automatikisht duhet të përkthehet në vota ose të jetë një rikthim i menjëhershëm i PDK-së në pushtet.
Efekti më i madh do të ishte te narrativa politike, se një prej figurave më të rëndësishme të historisë së Kosovës do të kthehej në skenën publike me një legjitimitet të ri, të mbështetur nga një vendim gjyqësor ndërkombëtar.

“Epoka e re”: Çfarë do të ndryshonte në politikën e Kosovës me rikthimin e Thaçit?
Hisen Berisha: Do të ndryshonte pesha e aktorëve politikë dhe mënyra se si do të zhvillohej debati politik. Thaçi nuk do të kthehej thjesht si një ish-president. Ai do të kthehej si një figurë që ka qenë në qendër të proceseve vendimtare të Kosovës, si luftës, Rambujesë, periudhës së pasluftës, Vjenës, shpalljes së pavarësisë dhe konsolidimit ndërkombëtar të shtetit.
Por rikthimi i tij nuk duhet parë domosdoshmërisht si rikthim në një post. Mund të jetë fillimisht rikthim në jetën publike dhe politike, më pas shoqëria dhe elektorati duhet t’ia japin rolin e ri.
Dhe kjo është shumë e rëndësishme që Thaçi do të kthehej në një Kosovë tjetër nga ajo që la.

“Epoka e re”: Pse një rikthim i Thaçit në politikë do të përbënte problem apo kërcënim për Kurtin. Të paktën ka opinione të tilla?
Hisen Berisha: Sepse Thaçi dhe Kurti përfaqësojnë dy mënyra shumë të ndryshme të konceptimit të politikës së Kosovës.
Kurti e ka ndërtuar një pjesë të madhe të identitetit të tij politik mbi kritikën, propagandën, polarizimin, denigrimin, degradimin, devalvimin ndaj çdo vlere në këtë vend, për 20 vite qeverisje (si “shkatërrim”) dhe establishmentin e vjetër politik. Thaçi është një prej figurave më të identifikueshme të atij establishmenti dhe një prej arkitektëve të shtetësisë së çdo etape dhe pasluftës.
Prandaj, një – Thaçi i shpallur i pafajshëm nuk do të ishte thjesht një kundërshtar politik. Ai do të sillte me vete një narrativë alternative për historinë, shtetformimin, marrëdhëniet me SHBA-në dhe politikën e jashtme të Kosovës.
Por nuk do ta quaja “kërcënim” në kuptimin personal. Në demokraci, ai është një sfidë politike dhe përgjigjja ndaj saj duhet të jetë politike, jo institucionale.

“Epoka e re”: Kur do të ishte momenti i duhur që Thaçi të rikthehej në politikë, pas kthimit nga Haga?
Hisen Berisha: Sigurisht se, jo ditën e parë dhe jo me nxitim. Do të ishte naivitet të pretendohet brenda një sistemi politik shtetëror, ku ka kushtetutë e ligje. Një gjë të tillë nuk do ta synonte një personalitet i dëshmuar për kulturë e koncept shtetformues konstitucional.
Prioriteti i parë duhet të jetë kthimi te familja, te njerëzit dhe te një periudhë reflektimi pas një procesi jashtëzakonisht të gjatë. Pastaj, nëse ai vendos të rikthehet në politikë, çka e konsideroj nevojë imediate për ruajtjen e vlerave dhe të vetë shtetit, duhet ta bëjë këtë mbi bazën e një platforme politike për të ardhmen, jo thjesht mbi nostalgjinë për të kaluarën.
Unë do ta shihja më të mençur një rikthim gradual, por fillimisht si figurë publike dhe shtetërore, pastaj, nëse krijohen kushtet, si faktor politik.

“Epoka e re”: Ku do të pozicionohej Thaçi në skenën politike: përballë Kurtit, pranë opozitës apo si faktor mbi partitë?
Hisen Berisha: Kjo është pikërisht pika më interesante. Kthimi përballë Kurtit do të ishte vogëlsi e një burrështetasi të përmasave historike si Hashim Thaçi. Unë nuk do ta shihja Thaçin domosdoshmërisht as si lider të një partie opozitare.
Pesha e tij politike mund të jetë më e madhe nëse pozicionohet si faktor mbi partitë, veçanërisht për çështjet strategjike të shtetit.
Edhe mesazhi i tij i fundit nga Haga shkon në këtë drejtim, pra, tryezë politike, marrëveshje për sigurinë, politikën e jashtme, NATO-n, BE-në, marrëdhëniet me SHBA-në, reformën në drejtësi, sistemin zgjedhor dhe dialogun me Serbinë, me ratifikimin e kufirit ndërkombëtar të Kosovës me Serbinë. Pra, paradoksalisht, rikthimi më i fuqishëm i Thaçit mund të mos jetë si “anti-Kurti”, por si propozues i një modeli tjetër të shtetit dhe politikës.

“Epoka e re”: Kush do të kishte më shumë avantazh në një përballje politike Thaçi vs. Kurti?
Hisen Berisha: Varet nga koha dhe terreni. Në zgjedhje të menjëhershme, që po pritet t’i gjenerojë kriza politike nga bllokimit të shtetit dhe status quo-ja në shërbim të Serbisë e Rusisë, Kurti do të kishte avantazh sepse ka një strukturë të konsoliduar politike, suport nga qarqe antishtet të Kosovës përmes komiteteve e shërbimeve të qarqeve, dhe një elektorat të madh të manipuluarish.
Po ashtu, ka krijuar tashmë një mekanizëm teknik-teknologjik e sistem të manipulimit e vjedhjes së votës, çka kërkon kohë për demontim të këtij mekanizmi. Duke kërkuar që hetimi i dialogut si proces, i të gjitha marrëveshjeve, dokumentacionit dhe pasojave për interesat shtetërore e kombëtare të bëhet nga një mekanizëm amerikan si FBI.
Por në një betejë më të gjatë politike, situata do të ndryshonte radikalisht.
Thaçi do të sillte një kapital tjetër politik dhe kredibil personal, si historinë, përvojën institucionale, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe një narrativë shtetformuese. Prandaj nuk do të bëja parashikim të prerë se kush fiton. Por do të thosha se përballja do të ishte ndër më të rëndësishmet që ka njohur politika kosovare pas luftës. Është vetëm Thaçi ai që do ta sulmojë këtë rrezik politik për shtetin, e që është Partia Socialiste alias emërtimi saj intrigues LVV.

“Epoka e re”: Çfarë do të sillte një rikthim i Thaçit për pushtetin dhe të ardhmen politike të Kurtit?
Hisen Berisha: Do ta detyronte Kurtin të përballej me një konkurrencë tjetër nga ajo me të cilën është përballur vitet e fundit.
Kurti ka qenë shumë efektiv në mobilizimin politik përmes ndarjes mes “të resë” dhe “të vjetrës”. Është kthyer në një sistem të cilit i kanë shërbyer akterë të spektrit politik partiak dhe shoqëria civile.
Rikthimi i Thaçit, veçanërisht i shoqëruar me pafajësi, do ta komplikonte këtë narrativë. Do të rikthehej në debat edhe pyetja se çfarë modeli shteti duam për Kosovën? Dhe kjo mund të jetë shumë më e rëndësishme sesa vetë një përballje mes dy individëve.

“Epoka e re”: Pse Kurti mund ta shohë rikthimin e Thaçit si një sfidë serioze politike?
Hisen Berisha: Sepse Thaçi mund të rikthehet me një kombinim që është i vështirë për t’u injoruar, përfaqëson legjitimitet historik, përvojë shtetërore dhe një marrëdhënie të gjatë me partnerët ndërkombëtarë.
Sidomos në një moment kur Kosova po përballet me pyetje të mëdha për marrëdhëniet me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe dialogun me Serbinë, çdo figurë që sjell një alternativë të qartë në këto fusha mund të ndikojë në ekuilibrin politik.
Por sfida për Kurtin nuk do të ishte vetë Thaçi. Sfida do të ishte krahasimi i dy modeleve politike para qytetarëve.

“Epoka e re”: Kur do të mund të shohim një përballje të drejtpërdrejtë Thaçi-Kurti?
Hisen Berisha: Kurti tashmë e ka vënë përballë Hashim Thaçin dhe historinë e suksesit që i vjen prapa e që quhet Shtet i Pavarur i Kosovës. Prandaj, jo domosdoshmërisht menjëherë pas kthimit të Thaçit duhet të ndodhë një përballje.
Kurti, kur është përballë Thaçit, vuan nga kompleksi i vlerës së ulët, deficiti patriotik dhe këto e dështimet tjera në histori, politikë e jetë, e bëjnë me komplekse identiteti, çka e bën të rrezikshëm për vetë komunitetin të cilit i takon.
Përballja do të bëhej reale nëse Thaçi vendos të marrë rol aktiv në politikë dhe nëse Kosova hyn në një cikël të ri zgjedhor ku ai vendos të jetë pjesë e garës. Mund të ndodhë edhe më herët në formën e një debati publik mbi çështjet strategjike të Kosovës. Por një përballje elektorale Thaçi-Kurti do të kërkonte një hap shumë më të madh, që Thaçi të vendoste të rikthehej formalisht në garën politike.

“Epoka e re”: Ku do të përplaseshin më fort dy modelet e tyre politike: te dialogu me Serbinë, marrëdhëniet me SHBA-në apo politika e brendshme?
Hisen Berisha: Në të tria, por më së pari në konceptimin e politikës së jashtme dhe marrëdhënieve me aleatët. Dialogu me Serbinë është vetëm një pjesë e kësaj. Ku Kurti me reformatimin e marrëveshjeve, dialogut, një statusi ndryshe për “zajednicën” dhe detyrimet që i ka pranuar e po i përmbush nga marrëveshjet antikushtetuese e Ohrit – Plani Franko-Gjerman me pikë 7 të tij – vetëmenaxhimin dhe statusin special të eksteritorialitetit dhe njohjes së pronave të paligjshme, objekteve religjioze, si dhe pronësisë serbe deri te Sinodi rus, mbi trashëgiminë ortodokse të Kosovës; pastaj autonominë territoriale për komunat me shumicë serbe në Veri, fuqizimi i ingerencave politike të Beogradit në vijë vertikale, deri te Ligji i radhës për shtetësinë, që e vë Kurtin ndesh me interesat e Kosovës, që duke rrëshqitur në tradhti në bazë të të drejtës penale ndërkombëtare.
Dallimi më i madh mund të jetë te pyetja se si duhet ta ndërtojë Kosova fuqinë e saj shtetërore: përmes koordinimit maksimal me SHBA-në dhe aleatët perëndimorë, apo përmes një qasjeje të pavarur dhe konfrontuese?
Edhe vetë Thaçi, në mesazhin e fundit, e ka vendosur theksin te NATO-ja, BE-ja, marrëdhënia speciale me SHBA-në dhe politika e jashtme si çështje që duhet të jenë pjesë e një konsensusi kombëtar. Pra, konflikti real do të ishte mbi orientimin strategjik të shtetit, jo vetëm mbi dialogun.

“Epoka e re”: Kush mban përgjegjësinë kryesore për krizën politike dhe institucionale në Kosovë?
Hisen Berisha: Përgjegjësinë kryesore e mban ai që ka kapacitetin më të madh për ta zhbllokuar situatën. Në këtë rast, përgjegjësia politike bie para së gjithash mbi forcën që ka dalë e para nga zgjedhjet dhe mbi liderin që pretendon të formojë institucionet. Por kjo nuk e përjashton opozitën. Nëse interesat janë të ndara, përgjegjësia shtetërore bie mbi të gjithë. Kosova nuk mund të funksionojë me logjikën “fajin e ka vetëm njëri”. Kuvendi nuk konstituohet pa vota, presidenti nuk zgjidhet pa konsensus dhe shteti nuk mund të mbahet peng nga kalkulimet partiake. Prandaj përgjegjësia është e përbashkët, por barra e parë e përgjegjësisë politike është mbi shumicën eventuale dhe mbi atë që kërkon ta drejtojë shtetin.

“Epoka e re”: Çfarë rrezikon Kosova nëse kriza politike vazhdon të zgjatet?
Hisen Berisha: Rreziku më i madh nuk është vetëm vonesa e një seance parlamentare. Është normalizimi i mosfunksionimit të shtetit. Kosova rrezikon të humbë kohë në integrimin evropian, fonde dhe mundësi ekonomike, të dobësojë pozicionin e saj në politikën e jashtme dhe të krijojë pasiguri te investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Vetë zhvillimet e fundit kanë treguar se ngërçi politik po shoqërohet me mundësi të humbura dhe vonesa në proceset eurointegruese. Dhe ekziston edhe një rrezik më i thellë, që është humbja e besimit të qytetarëve te institucionet.

“Epoka e re”: Pse Kurti nuk po arrin të gjejë një zgjidhje për krizën politike?
Hisen Berisha: Sepse duket se po përpiqet të zgjidhë njëkohësisht dy objektiva që nuk janë të lehta për t’u pajtuar, të ruajë kontrollin maksimal politik dhe në të njëjtën kohë të sigurojë numrat që kërkojnë kompromis. Vetë Kurti ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për presidentin mund ta vështirësojë një marrëveshje të mundshme me partitë e tjera. Kjo tregon se problemi nuk është mungesa e rrugëve kushtetuese. Problemi është mungesa e një kompromisi politik. Dhe këtu duhet të bëjmë dallimin: Kosova nuk ka krizë të mungesës së zgjidhjeve kushtetuese; ka krizë të vullnetit politik për t’i përdorur ato.

“Epoka e re”: Kur mund të kthehet stabiliteti institucional në Kosovë dhe kush duhet të bëjë hapin e parë?
Hisen Berisha: Stabiliteti mund të kthehet shumë shpejt nëse ekziston vullneti politik. Problemi nuk është teknik. Hapi i parë duhet të jetë ulja e tensioneve dhe hapja e një marrëveshjeje politike. Pastaj mund të diskutohet për reforma më të thella. Në fakt, edhe mesazhi i fundit i Thaçit nga Haga është në këtë linjë: politika duhet të ulet në tryezë dhe të dakordojë çështjet strategjike të shtetit.
Pra, hapin e parë duhet ta bëjë ai që ka përgjegjësinë më të madhe për zhbllokimin e institucioneve, por të gjitha partitë duhet të bëjnë nga një hap drejt kompromisit.

“Epoka e re”: Ku po e çon Kosovën kjo krizë: drejt një kompromisi politik apo drejt një përplasjeje edhe më të madhe?
Hisen Berisha: Sot ekzistojnë të dyja mundësitë.
Nëse politika e kupton se shteti është më i rëndësishëm se fitorja e radhës partiake, kriza mund të kthehet në një mundësi për një marrëveshje më të gjerë politike dhe reforma që do ta bëjnë sistemin më funksional.
Nëse vazhdon logjika e bllokimit, atëherë Kosova mund të hyjë në një cikël të ri zgjedhor dhe përplasjesh politike.
Dhe këtu do të bëja një paralajmërim, se nuk duhet lejuar që kriza institucionale të shndërrohet në krizë të shtetit.
Kosova nuk ka nevojë për një fitues absolut politik. Ka nevojë për institucione funksionale, stabilitet kushtetues dhe një orientim të qartë euroatlantik. Prandaj, nëse Thaçi kthehet, sfida nuk duhet të jetë “Thaçi kundër Kurtit”. Edhe kjo do të ishte një reduktim i gabuar i problemit. Pyetja e vërtetë që duhet të shtrohet është se a do të vazhdojë Kosova me politikën e përplasjes së përhershme, apo do të ndërtojë një konsensus të ri shtetëror mbi sigurinë, marrëdhëniet me SHBA-në, NATO-n, BE-në, demokracinë dhe funksionimin kushtetues të shtetit? Nëse kjo pyetje shtrohet kështu, atëherë edhe rikthimi i Thaçit nuk duhet parë vetëm si rikthim i një politikani. Mund të jetë një moment që e detyron gjithë klasën politike të rishikojë raportin mes partisë dhe shtetit.
Mesazhi im kryesor përmes kësaj interviste do të ishte që: Kosova nuk ka nevojë për një luftë të re mes figurave politike; ka nevojë për një marrëveshje të re politike mbi shtetin dhe për shtetin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi i Kosovës në padel, në konkurrencën e përzier “Mixed…