Kurti kërkon hapjen e arkivave serbe pas gjetjes së mbetjeve të 23 personave

24 gusht 2026 | 14:29

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, i përfaqësuar nga kryesuesi Agron Limani dhe udhëheqësi i njësisë Kushtrim Gara, ka prezantuar raportin përmbledhës për gërmimet në tri lokacione në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, të komunës së Zubin Potokut, që rezultuan me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore, që vlerësohet se u përkasin së paku 23 personave, të cilët dyshohet të jenë viktima të zhdukjes me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ishte i pranishëm në këtë prezantim të raportit, ka theksuar se tashmë kanë hyrë në një fazë tjetër, atë të identifikimit. “Numri 23 përkon me atë që njihet si ‘Grupi i intelektualëve’, të cilët më 19 prill të vitit 1999, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, që u përpoqën të fshehin dhe të zhdukin gjurmët e këtij krimi gjenocidal. Por, procesi i identifikimit në tërësi mund të marrë edhe disa muaj kohë, andaj vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë së për kë bëhet fjalë dhe, bashkë me familjet, t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se qindra familje kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, por edhe drejtësi.

“Zbardhja e fatit sikurse edhe drejtësia, u janë mohuar dhe po u mohohen nga Serbia, që duke fshehur e duke mos i pranuar krimet, si dhe duke refuzuar të hapë arkivat e duke i klasifikuar ato, synon të tjetërsojë të vërtetën dhe t’i ikë përgjegjësisë. Më shumë se kurdo tjetër, në momente si ky, faktorët ndërkombëtarë duhet ta shtojnë trysninë ndaj fqinjit tonë verior, që të zbatojë Deklaratën për Personat e Zhdukur me Dhunë të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, duke hapur dhe vënë në dispozicion arkivat shtetërore, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri në detyre ka thënë se është vendimtare për procesin që të hapet arkiv i Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila ka kryer masakra, posaçërisht në Drenicë, por edhe gjithandej Kosovës, dhe dosja e së cilës para 12 vjetësh është klasifikuar për 30 vjet. “Familjet që kanë pritur 27 dhe 28 vjet, nuk mund dënohen me pritje, ankth e dhimbje, edhe për 18 vjet të tjera. Andaj trysnia ndërkombëtare është jetike në këtë proces. Dosjet e arkivuara dhe të klasifikuara të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, duhet të hapen tash nga shteti i Serbisë, pra sivjet, në vitin 2026, e jo në vitin 2044”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukraina pret 30 miliardë euro nga Bashkimi Evropian (BE) për…