Qelaj: Kemi ngritur shqetësimin për rritjen e taksave gjyqësore, s’duhet të bëhen pengesë për qasjen në drejtësi

09 tetor 2026 | 11:48

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur shqetësimin për rritjen e taksave gjyqësore, duke theksuar se ato mund të krijojnë pengesa financiare për qytetarët. Në tryezën e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), lidhur me ndikimin e Udhëzimit Administrativ për Unifikimin e Taksave Gjyqësore në realizimin e së drejtës për qasje në drejtësi, ai ka kërkuar që këto taksa të përcaktohen në mënyrë proporcionale.

“Në opinion kemi ngritur shqetësime lidhur me rritjen e konsiderueshme të disa taksave gjyqësore, pagesat shtesë dhe ushtrimin e mjeteve juridike, si dhe pasojat procedurale të mospagesës së tyre. Këto elemente, të marra së bashku, mund të krijojnë pengesa financiare joproporcionale për qytetarët që kërkojnë mbrojtje gjyqësore”, ka thënë Qelaj.

Ai ka bërë të ditur se opinioni për taksat gjyqësore është hartuar pas reagimeve publike dhe kërkesave të disa organizatave të shoqërisë civile.

Qelaj ka theksuar se vendosja e taksave gjyqësore duhet të bëhet në mënyrë të balancuar, në mënyrë që ato të mos paraqesin pengesë për qytetarët në qasjen në drejtësi.

“Ideja ose fakti pse ne kemi dalë me një opinion të tillë del për shkak të reagimit publik, kërkesave që kemi pranuar nga disa organizata të shoqërisë civile, por edhe vetë ndjeshmërisë që ka tema e taksave gjyqësore, si një e drejtë ekskluzive e shtetit për t’i vendosur, por e cila gjithmonë duhet të jetë e balancuar, e barasvlershme dhe e analizuar mirë, për të mos paraqitur pengesë në qasjen në drejtësi”, ka shtuar Qelaj.

Ai ka potencuar se opinioni nuk trajton vetëm ndikimin e tarifave gjyqësore, por edhe përgjegjësinë e institucioneve për të garantuar që qytetarët të kenë mundësi reale për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Ky opinion trajton një çështje që shkon përtej ndikimit të tarifave gjyqësore, trajton raportin ndërmjet kompetencës së institucioneve për të rregulluar funksionimin e sistemit gjyqësor dhe detyrimit të shtetit për të garantuar që çdo qytetar të ketë mundësi reale për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tij”, ka deklaruar Qelaj.

Për këtë çështje ka folur edhe Liridon Salihi, menaxher i projekteve në GLPS, i cili ka ngritur dilema lidhur me bazën ligjore të taksave gjyqësore dhe ka theksuar se disa prej tyre janë rritur deri në 600 për qind.

Salihi ka sqaruar se udhëzimi administrativ ka sjellë rritje të taksave gjyqësore nga 20 deri në 600 për qind, duke përmendur disa shembuj të tarifave që janë rritur.

“Si dilemë të parë kemi thënë që është baza ligjore. E tha edhe Avokati i Popullit, ndonëse Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës i jep një kompetencë KGJK-së për të bërë unifikimin e taksave gjyqësore, në fakt, a duhet të shihet kjo si e drejtë edhe për vendosjen, edhe për lartësinë e taksave për shërbime të caktuara që jepen nga ana e gjyqësorit?”, ka thënë Salihi.

Ai ka theksuar se disa taksa janë rritur ndjeshëm, përfshirë ato për paditë që lidhen me ligjshmërinë e akteve juridike dhe kërkesat jomonetare në fushën e pronësisë intelektuale.

“Mos ta harrojmë që me këtë udhëzim administrativ kemi taksa që janë rritur nga 20 deri në 600%. Ta zëmë, te paditë që kanë të bëjnë me ligjshmërinë e akteve juridike ose nënligjore juridike, taksa fillimisht ka qenë 50 euro, tash e kemi 250 euro. Ose, për shembull, edhe te këto kërkesat jomonetare në kontekstin e pronësisë intelektuale, që dikur kanë qenë 50 euro, tash i kemi me 350 euro”, ka deklaruar ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Lionel Messi vazhdon t’u thotë lamtumirë tifozëve të tij në…