Reçica: Nder dhe kënaqësi të marrë pjesë në ndarjen e mirënjohjes nga OVLUÇK-ja në Ferizaj për Labinot Tahirin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, ka bërë me dije se ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së një mirënjohjeje për artistin dhe humanistin Labinot Tahiri.
Përmes një postimi në “Facebook”, Reçica ka treguar se mirënjohja është ndarë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Ferizaj, ndërsa ajo i është dorëzuar Tahirit nga kryetari i kësaj organizate, Afrim Mehmeti.
Sipas Reçicës, mirënjohja është ndarë për humanizmin e Tahirit, mbështetjen e vazhdueshme ndaj veteranëve dhe kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe për respektin e treguar ndaj sakrificës për lirinë e Kosovës.
“Nder dhe kënaqësi e veçantë të marr pjesë në ndarjen e mirënjohjes nga OVLUÇK-ja, dega Ferizaj, ku kryetari z. Afrim Mehmeti, ia dorëzoi mikut dhe artistit të përmasave kombëtare, humanistit të madh, Labinot Tahiri – Labi”, ka shkruar Reçica.
Ai ka vlerësuar kontributin humanitar të Tahirit, duke e cilësuar mirënjohjen si vlerësim për përkrahjen e tij ndaj kategorive të dala nga lufta.
“Humanizmi është vepër, mirënjohja është kujtesë, ndërsa liria është amanet. Respekt për ty, Labi!”, ka shkruar Reçica.



